Lëvizja “Shqipëria Bëhet” e drejtuar nga Adriatik Lapaj mban sot protestën e radhës në Bulevardin para Kryeministrisë, ku kërkohet dorëheqja e qeverisë pas skandaleve dhe aferave korruptive që tani janë edhe nën hetim nga SPAK, veçanërisht dy dosjet e bujshme të zv/kryeministres Belinda Balluku dhe AKSHI-t.

Pas një qëndrese gati njëmujore dhe disa protestave të mëparshme, lëvizja politike tubohet sot (17 janar) për një tjetër protestë të thirrur me mbështetësit e saj.

Qindra qytetarë dhe mbështetës u panë në bulevard mbrëmjen e sotme, teksa tundnin flamuj dhe parulla dhe lëshonin thirrje kundër qeverisë.

“Rama frikacak”/ “Shqipëria Bëhet” nis

Me thirrjet “Edi Rama frikacak” dhe “Dorëheqje”, ata iu drejtuan me marshim kryeministrisë në bulevardin e madh.

Më herët Lapaj është përplasur disa herë me forcat e Policisë, të cilat jo vetëm e kanë larguar me forcë, por i kanë hequr edhe mjetet mbështetëse si karrige, batanije, çadra dhe deri te ngrohëset.

Në një prej episodeve të dhunës së Policisë ndaj mbështetësve të tij, Lapaj mbeti i dëmtuar në kokë dhe u shtrua në Spitalin e Traumës.

Ashtu sikurse blloku opozitar, Lapaj kërkon dorëheqje të qeverisë, qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re