Parcela demostrative me mandarina e familjes Sula
Parcela demostrative me mandarina e familjes Sula

Mandarinat e Dimalit, model i bujqësisë së pastër

Siguria ushqimore po kthehet gjithnjë e më shumë në një shqetësim real për qytetarët shqiptarë, veçanërisht në zonat me aktivitet të lartë bujqësor. Përdorimi i pakontrolluar i pesticideve, mungesa e këshillimit teknik për fermerët dhe monitorimi i kufizuar institucional kanë ngritur pikëpyetje mbi cilësinë dhe sigurinë e produkteve bujqësore që përfundojnë në tryezat e konsumatorëve.

Një shembull pozitiv vjen nga Bashkia Dimal, në Qarkun e Beratit, ku po zbatohet projekti “MandaGREEN”, një nismë që synon promovimin e bujqësisë së pastër dhe të qëndrueshme, me fokus kultivimin e mandarinave.

Qarku i Beratit ka potencial të konsiderueshëm në kultivimin e agrumeve. Vetëm në Bashkinë Dimal, sipërfaqja e mbjellë me mandarina arrin rreth 224 hektarë, ndërsa 154 hektarë ndodhen në fshatrat ku po zbatohet projekti, çka e bën këtë zonë një territor të rëndësishëm për ndërhyrje që lidhen me sigurinë ushqimore dhe praktikat e qëndrueshme bujqësore.

Analizat zyrtare dhe siguria e produktit

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, përmes Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i është përgjigjur kërkesës për informacion mbi kontrollet e kryera gjatë sezonit të fundit, ku fokusi ka qenë te frutat, perimet dhe agrumet.

Sipas të dhënave të përcjella nga Koordinatori për të Drejtën e Informimit, gjatë kontrolleve në subjektet e tregtimit të fruta-perimeve janë kryer gjithsej 61 inspektime. Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë vendosur 2 masa administrative “Paralajmërim” dhe 3 masa administrative “Gjobë”, me një vlerë totale prej 300 mijë lekësh.

Gjithashtu, autoritetet bënë me dije se kanë bllokuar 8.246 ton produkte fruta-perimesh dhe kanë asgjësuar 8.16 ton produkte, për shkak të shkeljeve të konstatuara.

Sa i përket problematikave më të shpeshta të evidentuara gjatë kontrolleve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka përmendur mungesën e sistemit të gjurmueshmërisë, si dhe mangësi të tjera të një rëndësie të vogël, për të cilat subjektet janë lënë me afate kohore për përmbushjen e detyrimeve.

Gjatë takimit të organizuar në Bashkinë Dimal nga organizata PMSM Berat
Gjatë takimit të organizuar në Bashkinë Dimal nga organizata PMSM Berat

Projekti “MandaGREEN”

Projekti “MandaGREEN” zbatohet në disa fshatra të Bashkisë Dimal, konkretisht në Goriçan, Banaj, Syzës dhe Kuç, zona me traditë në kultivimin e mandarinave dhe me sipërfaqe të konsiderueshme agrumishtesh.

Në këto fshatra, projekti synon të adresojë problematikat që lidhen me përdorimin e pesticideve, mungesën e këshillimit teknik dhe nevojën për modele alternative të prodhimit bujqësor, duke punuar drejtpërdrejt me fermerët në terren.

Projekti “MandaGREEN” zbatohet nga Organizata “Për Mirëqenie Sociale dhe Mjedisore” dhe ka si qëllim të ofrojë njohuri të thjeshta, praktika të provuara dhe zgjidhje konkrete për kalimin nga bujqësia kimike në atë ekologjike. Ai synon të tregojë se ndryshimi është i mundur, edhe në kushte modeste, kur fillon nga dora që mbjell. “Kur përdor metoda organike, toka fillon të marrë frymë dhe të ketë sërish jetë.”

Projekti përfshin aktivitete trajnimi për fermerët, materiale edukative dhe parcela demonstrimi (si ajo e familjes së Muharrem Sulës), ku aplikohen praktika bujqësore më të sigurta dhe miqësore me mjedisin. Synimi është krijimi i një modeli praktik që mund të ndiqet dhe të replikohet nga fermerë të tjerë në zonë.

Qëllimi ynë është të tregojmë se kalimi nga bujqësia kimike drejt asaj të pastër dhe të qëndrueshme është i mundur edhe në kushtet e fermerëve lokalë. Ndryshimi fillon nga dora që mbjell dhe nga vendimi për të prodhuar ushqim të sigurt”, u shpreh Lorena Totoni, eksperte e Zhvillimit Rajonal dhe Qeverisjes Vendore, në emër të Organizatës “Për Mirëqenie Sociale dhe Mjedisore”.

Mbështetja dhe partnerët e projektit

Projekti “MandaGREEN” po zbatohet me mbështetjen e partnerëve dhe organizatave që veprojnë në fushën e mjedisit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe bujqësisë ekologjike, të cilët kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve lokale, edukimin e fermerëve dhe promovimin e praktikave të sigurta bujqësore.

Programi GreenAL “Mbështetja e Organizatave të Shoqërisë Civile 2024–2027” financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida), me fondet e Qeverisë Suedeze, dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo.

Siguria ushqimore si interes publik

Siguria ushqimore nuk lidhet vetëm me cilësinë e një produkti të vetëm, por me mirëqenien e gjithë komunitetit. Produktet pa mbetje kimike rrisin besimin e konsumatorëve dhe krijojnë kushte më të mira për zhvillimin e bujqësisë vendase, veçanërisht në zonat rurale. Testet laboratorike janë një element kyç për transparencën dhe besimin e publikut.

Sipas ekspertes, analizat laboratorike janë thelbësore për rritjen e besimit të publikut. “Rezultatet e analizave nga autoritetet zyrtare tregojnë qartë se praktikat ekologjike japin efekt. Ato janë garanci jo vetëm për konsumatorin, por edhe për vetë fermerin, i cili mbron shëndetin e tij dhe të familjes”, theksoi Lorena Totoni.

Një model që mund të shërbejë si referencë

Në Qarkun e Beratit, kushtet klimatike dhe tradita në kultivimin e agrumeve krijojnë potencial real për kalimin drejt bujqësisë ekologjike. Por ky proces kërkon informacion, këshillim teknik dhe shembuj konkretë që fermerët mund t’i shohin dhe t’i zbatojnë në praktikë.

Rezultatet e arritura te mandarinat në Bashkinë Dimal, në parcelën e monitoruar nga ekspertët e projektit pranë familjes Sula, tregojnë se ndryshimi është i arritshëm. Ato përbëjnë një provë konkrete se reduktimi i inputeve kimike dhe respektimi i praktikave të sigurta bujqësore mund të çojnë në prodhim të shëndetshëm dhe të sigurt për konsum.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re