Jani Alia, i dënuar në Shqipëri me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços dhe i ekzekutuar ditën e djeshme në burgun e Koridhalos në Greqi, ishte prej kohësh në shënjestrën e rivalëve të tij.

Mediat greke raportojnë, se Alia i kishte shpëtuar 6 muaj më parë një atentati po në të njëjtin burg, ndërsa kishte fituar gjithashtu dhe “status mbrojtje”.

Ai ndronte i izoluar në qeli, së bashku me një ish-oficer policie, i dënuar për trafik droge. Por as ‘statusi i mbrojtjes’ nuk i ndali kundërshtarët e 49-vjeçarit ta ekzekutonin.

Jani Alia u godit 2 herë në qafë me një thikë të improvizuar nga një i burgosur grek 28 vjeç, i dënuar për vrasjen e shqiptarit Artur Bashkimi në Athinë gushtin e 2025-ës.

Jani Alia, 48-vjeç nga Tepelena,  u arrestua në 31 dhjetor të vitit 2024 në Athinë ku i fshihej drejtësisë shqiptare prej 9 vitesh me një identitet tjetër.

Në 2016-ën, ai ekzekutoi në një lokal në Tiranë, Elton Çiçon, po nga Tepelena. Një vrasje që vinte si pasojë e një lufte të vjetër mes të dyve.

Në mesin e vitit 2000 Jani Alia goditi për vdekje me thikë një 20-vjeçar nga Tepelena, shoku i fëmijërisë së Elton Çiços. Nga ajo kohë, Çiço u betua për hakmarrje. Kjo ndjenjë për të marrë hak i bashkoi edhe në burg në Greqi. Të dy përfunduan në burgun e Koridhalos për vepra të ndryshme penale. Aty patën përplasjen e parë fizike.

Të dy u liruan dhe konflikti mes tyre përshkallëzoi në atentate të njëpasnjëshme. Çiço tentoi ta vriste Alinë në janar të vitit 2016 në Tiranë dhe më pas në Gjirokastër, duke e plagosur lehtë, por pa arritur qëllimin.

Pak muaj më vonë, në maj të 2016-ës, Alia veproi gjakftohtë duke e vrarë armikun e tij teksa ndodhej në një lokal në ish-Bllok.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re