Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të forta ndaj procesit që po zhvillohet sot në Gjykatën Kushtetuese.
Me anë të një postimi në X, Rama shprehet se seanca, e cila sipas tij fatkeqësisht nuk po transmetohet drejtpërdrejt për shkaqe teknike, është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh që synojnë rritjen e pagave të tyre përmes gjykimit, duke thyer piramidën shtetërore të pagave.
Sipas Kryeministrit, gjyqtarët janë tashmë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, falë mbështetjes që mazhoranca qeverisëse i ka dhënë pushtetit gjyqësor në kuadër të Reformës në Drejtësi. Rama thekson se kërkesa për t’u dhënë e drejta që në mënyrë automatike të rrisin pagat sa herë rriten pagat e tjera përbën një precedent të rrezikshëm.
Ai paralajmëron se një vendim i tillë do ta kthente Shqipërinë në të vetmin vend ku gjyqtarët do të paguheshin më shumë se çdo kategori tjetër, duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë dhe parlamentit për politikën e pagave.
Kryeministri shpreh vlerësim për SPAK-un, i cili sipas tij nuk iu bashkua kësaj nisme, duke e cilësuar këtë qëndrim si një akt përgjegjësie në emër të pavarësisë së gjyqësorit.
POSTIMI I RAMËS:
- Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor! Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave, ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar! Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit.
