Forumi Ekonomik Botëror në Davos është shndërruar këtë vit në një fushëbetejë diplomatike, ku në qendër të “ciklonit” qëndron ishulli i ngrirë i Grenlandës dhe e ardhmja e raporteve transatlantike.

Presidenti amerikan Donald Trump, me stilin e tij karakteristik të negociatave, ka krijuar një klimë të tensionuar por njëkohësisht edhe të hapur për diskutim, duke deklaruar se “ndoshta do të gjejmë një zgjidhje me Evropën për Grenlandën”.

Ky qëndrim vjen pas javësh presioni dhe deklaratash, që kanë lënë të kuptohet se interesi amerikan për kontrollin e burimeve në Arktik është tanimë një prioritet strategjik i Shtëpisë së Bardhë. Por, kjo “zbutje” e Trumpit nuk është pritur me entuziazëm nga të gjithë.

Presidenti francez, Emanuel Makron, ka reaguar ashpër, duke u bërë zëri i një Evrope që refuzon të trajtohet si një palë dytësore në arenën globale. “Trump dëshiron një Evropë vasale. Ne preferojmë respektin e ndërsjellë përballë metodave të ngacmuesve”- deklaroi Makron gjatë samitit.

Sipas liderit të Elizesë, ambiciet amerikane në Grenlandë dhe përdorimi i tarifave tregtare si “armë”, janë prova se Uashingtoni po tenton të diktojë sovranitetin e kontinenteve të tjera përmes presionit ekonomik.

Por përplasja SHBA-BE nuk kufizohet vetëm tek territori i Grenlandës. Trump ka ashpërsuar tonet duke shënjestruar simbolet e ekonomisë franceze: verën dhe shampanjën, me kërcënime për rritjen tarifash deri në 200 për qind.

Sipas ekspertëve, kjo luftë tregtare synon të dobësojë rezistencën e Bashkimit Evropian dhe të krijojë çarje brenda bllokut. Por Makron duket i palëkundur, duke bërë thirrje për një “bazukë” evropiane, një mjet anti-presion që mund të ndëshkojë bizneset e vendeve të treta që dëmtojnë interesat e BE-së.

Ndërsa Ursula Von Der Lejen ka bërë thirrje për dialog dhe një strategji të përbashkët të NATO-s në Arktik, Parisi zyrtar po përgatitet për një përballje afatgjatë. Sfida mbetet nëse Evropa do të arrijë të mbajë një qëndrim të bashkuar apo nëse “diplomacia e tarifave” e Trumpit do të arrijë të realizojë marrëveshjen që ai dëshiron.

Për momentin, fati i Grenlandës mbetet i varur mes ambicieve perandorake të SHBA-së dhe rezistencës sovraniste të Makron.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re