Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk humbi kohë për të ngritur kritika të forta ndaj Europës gjatë fjalimit të tij përpara një salle të mbushur me zyrtarë dhe liderë europianë në Forumin e Davos, duke deklaruar se disa pjesë të kontinentit “nuk janë më as të dallueshme”.

“Ne mund të debatojmë për këtë, por nuk ka debat. Miq që kthehen nga vende të ndryshme, nuk dua të fyej askënd, thonë: ‘Nuk e njoh më’. Dhe kjo nuk është në kuptim pozitiv, por shumë negativ”, u shpreh Trump.

Mesazhi i tij u konsiderua veçanërisht i ashpër, në një kohë kur marrëdhëniet SHBA–BE tashmë janë tensionuar, veçanërisht pas deklaratave të mëparshme të Trump mbi ambiciet për aneksimin e Groenlandës.

Presidenti amerikan fajësoi politikat europiane të emigracionit dhe ekonomisë për atë që ai e cilësoi si pasoja katastrofike, duke i krahasuar me atë që e quajti “mrekulli ekonomike” në Shtetet e Bashkuara.

“E dua Europën dhe dua ta shoh të ecë mirë, por nuk po shkon në drejtimin e duhur”, tha Trump, duke përmendur si probleme kryesore “rritjen e shpenzimeve qeveritare, emigracionin masiv të pakontrolluar dhe importet e pafundme nga jashtë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re