
Qeveria dhe SPAK do të përballen sot në Gjykatën Kushtetuese për rastin e zv.kryeministres Belinda Balluku. Seanca në Kushtetuese me relator Sandër Becin. Edhe pse në Gjykatën Kushtetuese do të shqyrtohet çështja për pezullimin e Ballukut, ajo nuk është palë dhe nuk do të jetë e pranishme. Kjo sepse Edi Rama i ka vënë firmën e tij kësaj çështjeje.
Përfaqësuesit e tij do të jenë përballë SPAK dhe GJKKO, sepse kryeministri mendon se një prokuror dhe një gjykatës nuk mund të pezullojnë një ministër. Sipas tij kjo kompetencë ndahet mes kryeministrit, Kuvendit dhe Presidentit, ndaj edhe këto dy institucione janë thirrur sot si palë të interesuara.
SPAK do të përfaqesohet në Kushtetuese nga dy prokuroret e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Presidenti i Republikës do të përfaqësohet nga Ilir Rusmali këshilltar, Hemioni Braho shef kabineti dhe Eriola Shia Drejtore e përgjithshme, ndërsa Kuvendi nga drejtoresha juridike, Mimoza Arbi.
Kryeministri Rama argumenton se sipas kushtetutës, edhe një ministër gëzon imunitetin e deputetit, dhe siç këtij të fundit asnjë gjykatë nuk mund t’i pezullojë ushtrimin e mandatit, kjo nuk mund t’i ndodhë as ministrit. Ndaj Rama kërkon të zgjidhet konflikti duke i interpretuar ky nen Kushtetues.
Në përfundim, dy janë rrugët e daljes, ose gjykata vendos se SPAK dhe GJKKO kishin të drejtë dhe do të pezullojnë sërish Ballukun, ose i japin të drejtë Ramës dhe pezullimi hiqet përfundimisht.