Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha në Kuvend, se seanca e ditës së sotme duhet të dëshmojë qëndrimin e vendit tonë në çështjet e sigurisë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Berisha pohoi se seanca duhet të shprehë vlerësimin maksimal për njërën nga paqet më të vështira në historinë e paqes, siç ishte armëpushimi dhe ndërprerja e luftimeve në Gaza.

“Ne jemi këtu për të dëshmuar mbështetjen tonë të plotë dhe të palëkundshme në politikat e sigurisë të SHBA. Në qëndrimin tonë pa ekuivok në mbështetje të këtyre politikave pasi SHBA janë aksionari më kryesor i paqes dhe sigurisë në botë. Ne mbështesim plotësisht këtë iniciativë të presidentit Donald Trump edhe për faktin se në dallim nga shumë kombe të tjera, askush nuk e ka përcaktuar më shumë lirinë e shqiptarëve se sa SHBA, veçanërisht në dekadat e fundit me çlirimin e Kosovës, pavarësinë e saj dhe mbështetjen e saj”, tha ai.

Kreu i PD-së shtoi se “në këtë kohë, për sa kohë SHBA qëndrojnë në zotimet e tyre për Aleancën e Atlantikut të Veriut, ne qëndrojmë në çdo problem sigurie pa mëdyshje në anën e SHBA”.

“Bordi i Paqes ngrihet për një nga aktet më të jashtëzakonshme, ndërprerjen e luftës në Gaza dhe këtu presidenti i SHBA ka një meritë historike, jashtëzakonisht të rëndësishme.
Bordi, që nuk e thotë kjo se ia ka marrë Belinda mendtë edhe asaj, është i mbështetur në dokumentin e OKB. Pra, nuk e nxjerrin këta. Bordi ka mbështetje në rezolutën e Këshillit të Sigurimit dhe është një hap tjetër drejt konsolidimit të paqes në atë rajon”, deklaroi Berisha.

Kuvendi është mbledhur në seancë plenare për të ratifikuar aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re