Operacionet e rrepta të administratës së re Trump në SHBA kanë marrë një kthesë drastike, duke prekur drejtpërdrejt nxënësit dhe fëmijët e vegjël. Ngjarjet e fundit në distriktin shkollor Columbia Heights, në veri të Minneapolis, kanë tronditur opinionin publik pas arrestimit të katër fëmijëve nga agjentët e ICE-së.
Rasti më tronditës është ai i Liam Ramos, një djalë vetëm 5 vjeç, i cili u ndalua së bashku me babanë e tij në oborrin e shtëpisë, sapo ishin kthyer nga çerdhja. Drejtoresha e shkollës, Zena Stenvik, denoncoi publikisht veprimet e agjentëve, duke i akuzuar ata se përdorën vogëlushin si ”karrem” për të hyrë në banesë.
Sipas dëshmive, agjentët e detyruan 5-vjeçarin të trokiste në derë për të parë nëse kishte persona të tjerë brenda, ndërkohë që një i rritur tjetër lutej që ta linin fëmijën në kujdesin e tij.
Kjo valë arrestimesh vjen pas vrasjes tragjike të Renee Good, 37-vjeçares që u qëllua për vdekje nga një agjent i imigracionit në fillim të janarit. Pavarësisht protestave masive, Shtëpia e Bardhë ka mbrojtur veprimet e agjentëve.
Zëvendëspresidenti J.D. Vance pritet të vizitojë Minneapolis për të konfirmuar mbështetjen e plotë për operacionet e ICE. Përveç 5-vjeçarit, janë arrestuar edhe një vajzë 10-vjeçare gjatë rrugës për në shkollë dhe dy adoleshentë 17-vjeçarë.
Familjet e tyre raportohet se kanë kërkesa aktive për azil dhe nuk kanë urdhra deportimi, gjë që i bën arrestimet ligjërisht të kontestueshme. “Jemi zemërthyer!”- u shpreh Stenvik, duke theksuar se frika ka pushtuar shkollat dhe lagjet e komunitetit./tesheshi/



