Rendi botëror po kalon një nga fazat më të pasigurta të historisë moderne, ku institucionet që dikur garantonin paqen dhe stabilitetin po shihen gjithnjë e më shumë si relike të një epoke që po perëndon. Ndërsa shumë udhëheqës botërorë duken të paralizuar përballë “stuhisë” së paparashikueshme që përfaqëson Donald Trump, kryeministri kanadez Mark Carney zgjodhi në Davos një rrugë tjetër.

Ai nuk ofroi thjesht retorikë diplomatike, por një plan veprimi që pranon rrënimin e rendit të vjetër dhe nevojën emergjente për një strukturë të re që nuk bazohet më te hipokrizia, por te një realizëm i ri dhe i sinqertë.

Ky vizion, i cilësuar si “realizëm i bazuar në vlera”, kërkon që shtetet të braktisin idealizmin naiv dhe të pranojnë se bota udhëhiqet nga interesat. Carney sugjeron se zgjidhja nuk është izolimi apo dorëzimi para ngacmuesve ndërkombëtarë, por krijimi i partneriteteve elastike dhe specifike.

Sipas tij, bota duhet të jetë në gjendje të bashkëpunojë për mbështetjen e Ukrainës apo tregtinë globale, pa pasur nevojë që palët të bien dakord për çdo çështje tjetër, duke vendosur njëkohësisht vija të kuqe të pakalueshme për parimet bazë si sovraniteti dhe integriteti territorial.

Sfidat që Carney artikulon janë një goditje e drejtpërdrejtë ndaj mënyrës se si është zbatuar deri më sot e drejta ndërkombëtare. Ai vë në dukje se sistemi ka dështuar sepse ka qenë selektiv, duke i vendosur fuqitë e mëdha mbi rregullat që ato vetë kanë hartuar.

Kjo asimetri, ka krijuar një terren ku udhëheqësit autoritarë ndihen të lirë të veprojnë jashtë çdo kornize ligjore. Prandaj, mesazhi i tij është i qartë: nëse duam që sistemi të mbijetojë, duhet të zbatojmë të njëjtat standarde si për aleatët, ashtu edhe për rivalët, duke i dhënë fund epokës ku drejtësia ishte një mjet në duart e më të fortit.

Pyetja nëse bota do t’i dëgjojë apo jo këshillat e këtij udhëheqësi, mbetet e hapur dhe e varur nga guximi i kombeve të tjera për t’u shkëputur nga “hipnoza masive” e interesave afatshkurtra. Referenca e tij ndaj Vasllav Havelit, shërben si një kujtesë se ndryshimi fillon me të vërtetën dhe me refuzimin e gënjeshtrave kolektive.

Në një kohë kur paqja po trajtohet si një transaksion pasurish të paluajtshme nga “Borde Paqeje” të improvizuara, propozimi i Carney-t për një rend të adaptuar dhe të ekuilibruar mund të jetë shansi i fundit për të parandaluar një shpërbërje totale të qytetërimit modern./tesheshi/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re