Ushtarët danezë të vendosur në Groenlandë janë urdhëruar të qëndrojnë në gatishmëri luftarake në rast se Shtetet e Bashkuara ndërhyjnë ushtarakisht në ishull.
Sipas transmetuesit shtetëror danez DR, javën e kaluar ushtria daneze kërkoi që trupat e vendosura në Groenlandë të pajisen me municion luftarak.
Ai theksoi gjithashtu se ekziston mundësia që forca dhe burime shtesë të dërgohen në ishull në një datë të mëvonshme, nëse konsiderohet e nevojshme.
Sipas DR, avionë civilë dhe ushtarakë filluan të transportonin ushtarë dhe pajisje në Groenlandë.
Ministri i Mbrojtjes i Danimarkës, Trels Lund Poulsen, refuzoi të komentonte mbi këtë informacion kur foli me gazetarët.
Pas disa javësh deklaratash agresive, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të mërkurën nga Davosi se kishte arritur “një kornizë për një marrëveshje të ardhshme”, e cila mbetet e paqartë. Ai duket se është tërhequr nga përdorimi i forcës për të përvetësuar ishullin dhe vendosja e tarifave shtesë për vendet evropiane.
Vendosja e ushtarëve danezë në Groenlandë ishte zyrtarisht pjesë e ushtrimeve ushtarake Arctic Endurance, të kryera nga ushtria daneze në bashkëpunim me forcat e armatosura të vendeve të tjera të NATO-s, të cilat Kopenhageni ka treguar se do të vazhdojnë “për pjesën më të madhe të vitit”.
Pas kërcënimeve amerikane, tetë vende evropiane dërguan disa dhjetëra ushtarë në Groenlandë. Disa janë kthyer që atëherë në vendet e tyre të origjinës, kryesisht një grup prej rreth 15 gjermanësh dhe disa suedezësh, ndërsa të tjerë vazhdojnë të mbërrijnë në ishull./CNN
