Në fillim të kësaj jave, Ushtria Siriane rimori kontrollin e territorit ku ndodhet varri i Sulejman Shahut – një figurë ikonike në historinë turke që daton që nga shekulli i XIII-të – nga grupi terrorist YPG në Sirinë Veriore. Kjo ndodhi disa orë para se armëpushimi mbarëkombëtar i qeverisë së Ahmed al-Sharaa me YPG-në (dega siriane e grupit terrorist PKK) të hynte në fuqi më 20 janar.

Një enklavë sovrane brenda Sirisë

Vendndodhja e varrit është një enklavë e vogël – një territor sovran i Turqisë brenda Sirisë – në lumin Eufrat, i vendosur rreth 27 kilometra nga kufiri turk. Vendi simbolizon rrënjët osmane dhe krenarinë kombëtare për popullin turk.

Sulejman Shahu është gjyshi i Osmanit I, themeluesit të Perandorisë Osmane që qeverisi për shekuj me radhë territore të gjera në Evropë, Azi dhe Afrikë. Edhe pse zona tani është nën kontrollin e ushtrisë siriane, sovraniteti i saj mbetet i paprekur sipas traktateve ndërkombëtare. Varri shërbeu si vend vizite gjatë periudhës osmane, por në shekullin e XX-të, ai u bë një çështje sovraniteti që shtrihej përtej kufijve kombëtarë.

Sfidat e sigurisë dhe operacionet ushtarake

Aktualisht, qasja në kompleks është e kufizuar për shkak të minave të shumta të vendosura nga terroristët e YPG-së gjatë tërheqjes. Përpjekjet për çminim po vazhdojnë me ritme të larta. Mediat turke e përshëndetën operacionin për pastrimin e vendit. “Mbrojtja e tij është një detyrë nderi. Këto toka janë territor turk dhe do të mbeten të tilla”- u shpreh komanda ushtarake në rajon.

Vendndodhja mbrohet nga Traktati i Ankarasë (1921) dhe Traktati i Lozanës (1923). Varri i ka mbijetuar dy zhvendosjeve. Në vitin 1973, për shkak të ndërtimit të Digës Tabka që rrezikonte përmbytjen e vendit origjinal. Dhe në vitin 2015 gjatë luftës civile siriane, kur Turqia kreu “Operacionin Shah Eufrat”, me 572 trupa dhe 39 tanke për të evakuuar eshtrat në fshatin Esme, rreth 200 metra larg kufirit, për të parandaluar përdhosjen e tyre.

Kush ishte Sulejman Shahu?

I lindur rreth vitit 1178, ai pasoi të atin, Kaya Alp, si udhëheqës i fisit Oghuz Kayi. Duke udhëhequr 50.000 pjesëtarë të fisit drejt Perëndimit për t’i shpëtuar sulmeve mongole, ai luajti një rol kyç në vendosjen e fiseve turke në Anadoll.

Sulejman Shahu përfaqëson vazhdimësinë historike që përcakton identitetin turk. Gatishmëria e Turqisë për të kryer operacione ushtarake për këtë varr, tregon se kombi nuk i harron rrënjët dhe besimin e shenjtë të paraardhësve. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re