268 shoferë që bllokuan qarkullimin me parkime dyshe u referua për 6 muaj në prokurori referuar nenit 293 të Kodit Penal, dhe rrezikojnë burgun.
Por ligji aktualisht nuk është i plotë dhe në Kuvend pritet të kalojnë shtesa që e dënon deri në një vit burg bllokimin e rrugës me parkim të gabuar.
Prej 10 korrikut të vitit të kaluar, pas këtij paralajmërimi të kryepolicit Ilir Proda, nisur nga shqetësimi gjithnjë e më i madh i bllokimit të qarkullimit prej parkimeve dyshe të makinave, uniformat blu nisën t’i referonin në prokurori shoferët shkelës, përveçse ndëshkimit të tyre me gjobë.
E gjitha u bë duke iu referuar nenin 293 të Kodit Penal për pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit, i cili parashikon gjobë deri në 3 vjet burgim.
Por sforcimi për shkak të legjislacionit të paplotë, që nuk parashikon në mënyrë të qartë si vepër penale bllokimin e qarkullimit prej parkimeve dyshe, detyroi një iniciativë ligjore në Kuvend. Së fundmi, në komisionet parlamentare po diskutohet për shtimin e një neni të ri në Kod Penal, 293/1.
Neni 293/1: Pushimi i mjetit në karrexhatë në rresht të dytë, që pengon qartazi dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë lëvizjen e automjeteve në shërbim të policisë, zjarrfikëseve e të autoambulancave apo shërbimeve të tjera të institucioneve, bllokon tërësisht rrugën, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve të tjera ose shkakton bllokim total të rrugës për këmbësorët, duke u bërë pengesë serioze për sigurinë publike, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Pra kush ndalon mjetin në mes të rrugës rrezikon deri në një vit burg, duke përjashtuar mjetet biçikletat apo motorët. Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve, në vijim, të gjitha referimet në prokurori për bllokim të qarkullimit do të bëhen përmes këtij neni.

