Protestat për vdekjen e infermierit Alex Pretti në mes të ditës, janë përhapur në disa qytete amerikane, pavarësisht stuhive të forta dimërore. Presidenti Donald Trump deklaroi për “Wall Street Journal” se administrata po “rishikon gjithçka”, dhe se agjentët e migracionit (ICE) do të largohen nga zona në një moment të caktuar.

Gjithsesi, Trump refuzoi të komentonte nëse agjenti që ekzekutoi të riun kishte vepruar drejt apo jo. Ndërkohë përplasja mes autoriteteve federale dhe shtetërore lidhur me këtë ngjarje është shumë e ashpër. Komandanti i Policisë Kufitare, Gregory Bovino, fajësoi politikanët lokalë për humbjen e kontrollit dhe pretendon se agjentët e tij janë “viktimat e vërteta” që u sulmuan nga Pretti.

Nga ana tjetër, guvernatori i Minesotës, Tim Walz, dhe policia lokale akuzojnë agjentët federalë për dhunë të pajustifikuar, duke vënë në dukje se policia vendase ka kryer qindra arrestime pa qëlluar asnjëherë. Kjo çështje ka përçarë edhe republikanët.

Disa kërkojnë hetime të pavarura, ndërsa të tjerë, si Marjorie Taylor Greene, mbrojnë të drejtën ligjore për mbajtjen e armës (Amendamenti i Dytë), duke u distancuar nga pretendimet e FBI-së se prania e një arme e justifikonte vrasjen.

Edhe Shoqata Kombëtare e Armëve (NRA) ka kërkuar hetime të hollësishme. Ndërkohë, familja Obama e ka cilësuar ngjarjen si një “këmbanë alarmi” për vlerat e kombit. Tensioni politik është në kulm: Ministrja e Drejtësisë, Pam Bondi, ofroi tërheqjen e forcave federale vetëm nëse Minesota heq dorë nga statusi “i një strehe”” për emigrantët dhe dorëzon fletëvotimet për hetimin e pretendimeve për mashtrime zgjedhore – kushte këto që u refuzuan nga Walz.

Situata rrezikon të bllokojë buxhetin e shtetit, duke çuar drejt një mbyllje të mundshëm të administratës këtë të premte./tesheshi/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re