VIDEO/ Rreth 1,5 miliard euro për rinovimin por “Camp Nou” fut ujë me një shi të rënë

Probleme serioze në stadiumin ikonë të Barcelonës, “Camp Nou”, gjatë ndeshjes me Real Oviedo, teksa reshjet e dendura të shiut zbuluan mangësitë e impiantit ende në ndërtim.

Barcelona triumfoi ndaj Real Oviedos në fushë, por atmosfera në tribunë dhe ambientet përreth u prish nga uji që rridhte brenda stadiumit.

Pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë qartë rrjedha uji që bien nga hapësira të hapura drejt zonave të kalimit të tifozëve.

Në disa korridore, uji u grumbullua në mënyrë të konsiderueshme, duke shkaktuar vështirësi për lëvizjen e të pranishmëve.

Gazetarët u detyruan të vishnin xhaketa kundër shiut dhe të përdornin çadra për të mbrojtur pajisjet e tyre elektronike, ndërsa sipas medias spanjolle Tribuna, as presidenti Joan Laporta dhe disa të ftuar VIP nuk ishin të mbrojtur nga reshjet, pavarësisht se ndodheshin në vendet korporative.

“Camp Nou” ndodhet në mes të një rinovimi gjigant me vlerë rreth 1.45 miliardë euro, ndërsa Barcelona u rikthye për të luajtur aty në muajin nëntor, edhe pse disa pjesë të stadiumit vijojnë ende të jenë në proces rikonstruksioni. Rikthimi i skuadrës në impiant ishte shtyrë me një vit për shkak të punimeve ndërtimore.

Megjithatë, presidenti Laporta u shpreh i qetë dhe optimist, duke theksuar se situata do të shërbejë për të identifikuar dhe rregulluar çdo problem të mbetur.

U lagëm të gjithë. E dinim që kjo mund të ndodhte, por në fund shiu shoqëroi fitoren. Ishte si një pagëzim me shi për Camp Nou-n. Stadiumi është ende në ndërtim dhe çdo problem që duhet rregulluar gjatë rrugës, do ta zgjidhim”, deklaroi Laporta.