Partia e Lirisë risjell edhe një herë në vëmendje formën se si policia prangosi ish presidentin Ilir Meta tetorin e vitit 2024, në hyrje të Tiranës.

Në një komunikatë për mediat, sekretari i përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi hoqi paralele me pamjet e arrestimit të liderit opozitar rus, duke thënë se Meta u trajtua nga Rama më keq se Alexei Navalny nga Putini.

Kanë kaluar 15 muaj nga krimi shumë i rëndë shtetëror i rrëmbimit terrorist të Presidentit të Partisë së Lirisë dhe drejtësia vijon të heshtë me vetëdije. Kjo vërteton edhe njëherë se jemi përpara një situate krejt të paprecedent dhe shumë të rrezikshme për një shtet të së drejtës, e pakrahasueshme edhe me atë që ndodh në vende diktatoriale apo regjime autokratike. As regjimet më autoritare nuk i kanë lejuar vetes akte të tilla kriminale. As regjimi i Vladimir Putinit nuk e ka arrestuar Aleksei Navalnyn në këtë mënyrë, në mënyrë kaq brutale, barbare dhe mafioze. Përkundrazi, siç mund ta konstatoni lehtësisht regjimi autoritar i Putinit u kujdes në dukje të arrestonte Navalnyn me forca të rregullta policie, të identifikuara, që i paraqitën atij një urdhër-ndalimi, i lejuan të drejtën të prononcohej edhe për mediat e të takonte bashkëshorten e tij, u shoqërua pa dhunë, pa u tërhequr zvarrë, pra formalisht me procedura të rregullta. Por përpjekja për të mbuluar dhe për të kaluar në heshtje rrëmbimin mafioz të Ilir Metës, nuk mund të ndodhë dhe nuk mund të amnistohet kurrë”, u shpreh Blushi.

Blushi i bëri thirrje SPAK që të hetojë dhe të zbardhë menjëherë “të gjithë çetën kriminale që rrëmbeu Presidentin e saj”, fakt sipas tij i provuar edhe nga vetë Gjykata.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re