“Detyrim paraqitje” për të arrestuarit e protestës së 24 Janarit

Ka përfunduar seanca për të arrestuarit nga protesta e 24 janarit e thirrur nga opozita.

Shtetasit e arrestua janë: Ardian Lici, Anduel Lleshi, Alan Lika, Anastas Mema, Tomas Koja, Ergi Shkurta, Sali Saraci, Ervis Mirashi, Adrian Toli, Rei Hasko, Bledi Spaho, Eldison Huli, Alket Toska, Leonid Xhebexhiu, Besnik Bali, Elton Hoti, Roni Bizhoti dhe Hamza Cani.

Ndaj tyre, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Në një njoftim zyrtar të Policisë, një ditë pas protestës, gjatë tubimit të organizuar nga Partia Demokratike përpara Kryeministrisë dhe Parlamentit, disa protestues kanë kundërshtuar forcat e rendit dhe kanë hedhur lëndë djegëse të improvizuara (molotovë).

Si rezultat i veprimeve hetimore:

  • 37 shtetas u identifikuan për veprime të kundërligjshme;
  • 18 persona u arrestuan në flagrancë;
  • 17 të tjerë u proceduan penalisht, përfshirë edhe 3 të mitur;
  • 2 shtetas u shpallën në kërkim.

Ndërkohë, kreu i PD, Sali Berisha deklaroi se mbi 27 të rinj janë arrestuar apo shoqëruar padrejtësisht, duke publikuar edhe emrat e qytetarëve të ndaluar në disa komisariate të Tiranës. Sipas tij, ata nuk kanë kryer asnjë shkelje ligjore, por janë ndëshkuar vetëm pse kanë protestuar.

Ai akuzoi Policinë për keqtrajtim fizik, përfshirë edhe një qytetare që, sipas tij, nuk kishte asnjë lidhje me protestën, si dhe mohoi kategorikisht plagosjen e efektivëve.