Skip to content

Doganat, krijohet “dritarja e vetme kombëtare”, qeveria do të vendosë tarifa për biznesin

Capture 891

Dogana Shqiptare do të Funksionojë me një Dritare të Vetme Kombëtare

Projektligji i hedhur për konsultim publik përcakton rregullat për krijimin dhe vënien në funksionim të Dritares së Vetme Kombëtare Doganore, si dhe rregullat për bashkëpunimin elektronik, përmes shkëmbimit të të dhënave të ndërveprueshme ndërmjet autoriteteve doganore dhe autoriteteve të tjera kompetente, sipas legjislacionit në fuqi.

Ky sistem do të zbatohet për mallrat që hyjnë dhe dalin nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë, duke mundësuar dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar në mënyrë të standardizuar dhe sipas parimit “vetëm një herë”.

Sipas draftit, koncepti i një dritareje të vetme paraqitet si një “lehtësi që lejon palët e përfshira në tregti dhe transport të depozitojnë elektronikisht, vetëm një herë, informacionin e kërkuar përmes dokumenteve të standardizuara, në një pikë të vetme hyrjeje, për të përmbushur të gjitha kërkesat rregullatore që lidhen me importet, eksportet dhe tranzitin.”

Lehtësimi i përpunimit dhe qarkullimit të informacionit përmes Dritares së Vetme Kombëtare Doganore do të çojë në krijimin e një mjedisi tërësisht elektronik “pa letër”, duke konvertuar dokumentacionin në letër në dokumente dhe të dhëna digjitale.

Sipas draftit, financimi i fazës së ndërtimit dhe implementimit/operimit të sistemit të Dritares së Vetme Kombëtare Doganore (DVKD) sigurohet nga kredia e Bankës Botërore (IBRD) në shumën prej 5.9 milionë dollarësh. Pas përfundimit të implementimit, sistemi do të kërkojë një fond operativ vjetor prej 1.36 milionë dollarë në vit.

Projektligji parashikon disa opsione për mbulimin e shpenzimeve të operimit të sistemit. Opsioni i parë është që Qeveria të mbulojë 100% të shpenzimeve të operimit dhe mirëmbajtjes nga Buxheti i Shtetit. Opsioni i dytë është që qeveria mund të vendosë të zbatojë një strukturë tarifash për vetëfinancimin e sistemit, me tre burime potenciale: tarifa për regjistrim dhe abonim (25 USD regjistrimi një herë; 50 USD abonimi vjetor), tarifa për transaksione doganore, si dhe tarifat ekzistuese LPCO (licenca, leje, certifikata, origjinë), të cilat aktualisht gjenerojnë rreth 2.7 milionë dollarë në vit për buxhetin e shtetit dhe mund të integrohen gradualisht në sistemin e Dritares së Vetme Kombëtare Doganore, pa ndryshuar natyrën e tyre ligjore.

Sipas projektligjit, kjo nismë sjell përfitime konkrete, duke garantuar:

  • Administrim më të mirë të procedurave që ndiqen në kufi.

  • Ulje të korrupsionit dhe aktiviteteve të tregtisë së paligjshme.

  • Minimizim të kontakteve me personelin dhe reduktim të mundësive për mitdhënie.

  • Lëvizje më të shpejtë të mallrave.

  • Rritje të transparencës dhe llogaridhënies të autoriteteve publike të përfshira.

  • Zhdoganim më të shpejtë të mallrave.

  • Përdorim më efikas dhe produktiv të burimeve.

  • Ulje të kostove për të dyja palët e përfshira në proces, përmes përmbushjes elektronike të formaliteteve doganore dhe jo-doganore, etj.

Kjo është hera e parë që financohet një projekt për ofrimin e shërbimeve përmes një dritareje të vetme (Single Window), në funksion të doganës elektronike, si një reformë për digjitalizimin dhe modernizimin e aplikimeve/kërkesave të paraqitura në dogana dhe autoritetet e tjera të bashkëpunimit ndërkufitar, me qëllim uljen e burokracive administrative dhe uljen e kostove të transaksioneve tregtare gjatë procedurave të import-eksportit apo regjimit të transitit të mallrave në Republikën e Shqipërisë.