Qeveria spanjolle vazhdon të mbajë një qëndrim unik në skenën ndërkombëtare sa i përket çështjes së imigracionit. Koalicioni i qendrës së majtë, i udhëhequr nga Pedro Sánchez, ka miratuar një dekret për të legalizuar deri në 500.000 emigrantë të parregullt, duke zgjedhur një rrugë ligjore që anashkalon procesin e gjatë parlamentar.

Kabineti i kryeministrit socialist miratoi të martën dekretin që u jep mundësi emigrantëve të mbërritur në Spanjë para 31 dhjetorit të marrin një leje qëndrimi fillestare njëvjeçare. Ky proces, që pritet të nisë zyrtarisht në prill, synon integrimin e rreth 500.000 personave sipas parashikimeve zyrtare.

Përfituesit do të pajisen me një dokument që u lejon punësimin e menjëhershëm, pa pasur nevojë të presin për një vendim përfundimtar, ndërkohë që të drejtën e aplikimit do ta kenë edhe azilkërkuesit. Ky njoftim bie në kundërshtim të hapur me politikat shtrënguese të shumë qeverive evropiane dhe administratës aktuale në SHBA, të cilat prej vitesh kanë aplikuar masa kufizuese ndaj migracionit.

Megjithatë, ky hap nuk është i papritur për Madridin. Që nga marrja e detyrës në vitin 2018, Sánchez është dalluar për mbrojtjen e flukseve migratore si një nevojë për zhvillimin e vendit. Rregullorja e re bazohet në një iniciativë legjislative popullore, e cila vitet e fundit ka kërkuar rregullimin e statusit të emigrantëve për të garantuar kushte më të mira jetese dhe pune.

Kjo nismë mori mbështetjen e mbi 700.000 qytetarëve, disa sindikatave dhe Kishës Katolike. Për të garantuar zbatimin e menjëhershëm, qeveria zgjodhi formën e dekretit mbretëror. Ky akt nuk kërkon miratimin paraprak të parlamentit, ku koalicioni qeverisës nuk ka shumicën dhe ku partitë e krahut të djathtë, që e kundërshtojnë ashpër këtë masë, kanë një peshë të konsiderueshme.

Opozita spanjolle e ka kritikuar ashpër vendimin. Ester Muñoz, parlamentare e Partisë Popullore, e akuzoi qeverinë se po e përdor këtë dekret për të shpërqendruar opinionin publik nga aksidenti tragjik hekurudhor në Adamuz më 18 janar, ku humbën jetën 45 persona.

Ky nuk është legalizimi i parë masiv që ndodh në Spanjë. Një lëvizje e ngjashme u ndërmor në vitin 2005, po ashtu nga socialistët nën drejtimin e José Luis Rodríguez Zapateros, ku u pajisën me leje qëndrimi 576.506  emigrantë deri atëherë të paligjshëm./tesheshi/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re