Ilir Meta pretendon se i është bërë presion që të mos zbardhte vrasjen e Azem Hajdarit, 28 vite më parë.
Në një postim në rrjetet sociale, ish-presidenti i Republikës thotë se ngjarja mund të ishte parandaluar.
Sipas Metës, vrasja e Hajdarit ishte politike, por personi më i painteresuar sipas tij, ishte Fatos Nano.
Ja çfarë shkruan Meta:
𝐓𝐞̈ 𝐯𝐚𝐳𝐡𝐝𝐨𝐣𝐦𝐞̈ 𝐦𝐞 𝐜̧𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐣𝐞𝐧 𝐇𝐚𝐣𝐝𝐚𝐫𝐢 𝐭𝐚𝐧𝐢
Kur unë u bëra Kryeministër një vit më vonë, në Tetor 1999, çështja Hajdari ishte “patatja më e nxehtë” që kërkonte drejtim.
Interesi dhe presioni ndërkombëtar për këtë çështje ishte i fortë dhe konstant.
Po kështu edhe presioni i brendshëm nga opozita.
Menjëherë bëra takim me Prokurorin e Përgjithshëm dhe grupin e pesë prokurorëve të çështjes Hajdari që drejtohej nga Haxhi Giu, nëse unë nuk gaboj.
Qëllimi i takimit ishte nxitja e tyre për zbardhjen e plotë të cështjes dhe sa më shpejt, pasi çështja Hajdari ishte një kosto shumë e rëndë për shtetin dhe Qeverinë socialiste.
Po kështu, dëgjova të gjitha kërkesat e tyre pikë për pikë edhe ato personale.
Interesante është se një nga Prokurorët e çështjes, përmes një këshilltarit tim, më kërkoi një takim konfidencial.
Gjatë takimit ai më bëri një pyetje të çuditshme, se a e kisha seriozisht kërkesën për zbardhjen e plotë të çështjes apo thjesht se ashtu më duhej të flisja.
Natyrisht që u bind se sa e domosdoshme ishte zbardhja e shpejtë e çështjes, pasi po vriteshin disa nga autorët dhe dëshmitarët e çështjes.
Në të njëjtën kohë nisën të shpikeshin disa skandale kundër Ministrit të Mbrojtjes, Hajdaraga dhe Ministrit të Financave, Anastas Angjeli, që njiheshin si miqtë e mi të afërt në atë kohë.
Madje arritën deri atje sa të nxirrnin një gjeneral në media, me uniformë, të sulmonte Ministrin.
E gjitha ishte një presion i orkestruar kundër meje, që të mos shtyja përpara hetimet për vrasjen e Hajdarit.
Atëherë përgjigjia ime ishte ballore, në një mbledhje të Qeverisë, të hapur për mediat, ku deklarova se ne do të gjejmë jo vetëm vrasësit e Azem Hajdarit, por edhe vrasësit e vrasësve të tij.
Më vonë u informova për vendndodhjen e Jaho Salihit, një prej të akuzuarve kryesorë.
U dhashë ultimatum personave përgjegjës, se nëse atij i ndodhte gjë dhe brenda 48 orësh nuk i dorëzohej drejtësisë, do t’i bëja përgjegjës publikisht.
Fatmirësisht, nuk pati surpriza dhe arrestimi, le të themi, shkoi sipas parashikimit.
Ky ishte moment i rëndësishëm jo vetëm për mbylljen e çështjes Hajdari, por edhe për të shkarkuar një pjesë të përgjegjësisë shtetërore për atë që ndodhi në 12 Shtator dhe që duhej të ishte parandaluar.
Qëllimi i këtij shkrimi është jo vetëm për të thënë disa të vërteta, sot në kohën e gënjeshtrave, por mbi të gjitha për të theksuar se edhe 12 Shtatori e 14 Shtatori 1998, por edhe 21 Janari 2011, mund dhe duhej të parandaloheshin.
Dhe meqënëse fjala gjeopolitikë këto kohë mbizotëron, nuk duhet të harrojmë se në fund të vitit 2010, kishte nisur edhe Pranvera Arabe.
Azem Hajdari u vra rreth 28 vjet më parë, më 12 shtator 1998, në afërsi të ish selisë së Partisë Demokratike.
I dënuar për këtë ngjarje është Jaho Mulosmani, i cili qëndron në burg, i dënuar përjetë. Ndërsa autori kryesor i dyshuar i vrasjes, Fatmir Haklaj, u vra në një pritë në 4 nëntor 1999.



