Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 55/2024, datë 27.12.2024 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Lazër Çardaku kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 812, datë 08.11.2024.
“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 812, datë 08.11.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Lazër Çardaku.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, njofton KPA.

Prokurori i Tiranës, Lazër Çardaku u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 8 nëntor 2024 për probleme në kriterin e pasurisë, që në vlerësimin tërësor u konsideruan se e vendosnin në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia. Ndërkohë, u vlerësua i besueshëm në kriterin e pasurisë dhe se kishte arritur nivelin minimal kualifikues për profesionalizmin.
Ndërkohë, në tetor 2025, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi mes diskutimesh të premten me 9 vota pro dhe dy kundër që të miratojë kërkesën e prokurorit Lazër Çardaku për ta mbajtur statusin e magjistratit edhe tre vjet nga mbushja e moshës së pensionit, pavarësisht se ishte shkarkuar nga KPK.
Relatori i çështjes, Sokol Stojani parashtroi se prokurori Çardaku, i cili ka mbushur moshën e pensionit 67- vjeç, ka kërkuar të qëndrojë në detyrë deri në moshën 70 vjeç.
Sipas nenit 64 të ligjit për “Statusin e gjyqtarëve dhe dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, magjistrati del në pension pleqërie në moshën 67- vjeç, por me kërkesën e tij, mund të qëndrojë në detyrë deri në moshën 70- vjeç.



