Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji vijon takimet me demokratët.
Ditën e sotme ai ishte në Himarë, ku ka zhvilluar një takim me strukturat drejtuese të PD në Himarë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai kritikon lidershipin aktual të PD për shkatërrimin e garave dhe përjashtimin e anëtarësisë nga vendimmarrja.
Sipas Salianjit, pa demokraci të brendshme dhe respekt për anëtarët, PD nuk mund të ketë besueshmëri përballë qytetarëve.
Ja çfarë shkruan Salianji:
Partia Demokratike duhet të jetë modeli i epërsisë morale përballë qeverisë.
Nëse Edi Rama dhe qeveria e tij kanë shkretuar Shqipërinë përmes keqqeverisjes, është e papranueshme që lidershipi që sot drejton demokratët të shkatërrojë garat, të pilotojë kryetarë pa pyetur anëtarësinë dhe, aq më keq, ta përjashtojë anëtarët dhe drejtuesit e strukturave nga vendimmarrja.
Sot isha në Himarë, së bashku me sekretarin e degës, dy ish-kryetarët e degës, ish-kandidaten për Bashkinë dhe drejtuesin e ish-të përndjekurve politikë, për të dëgjuar shqetësimet reale të demokratëve lidhur me farsën që është zhvilluar në këtë degë. Ajo që po ndodh në Himarë është e papranueshme për çdo demokrat që beson te parimet dhe te vota e lirë.
Demokratët vendosin. Demokratët duhet të dëgjohen.
Ata janë pronarët e Partisë Demokratike dhe sakrifikuesit më të mëdhenj përballë regjimit. Pa respekt për anëtarësinë, nuk ka opozitë morale; pa demokraci të brendshme, nuk ka besueshmëri përballë qytetarëve.



