Ka përfunduar seanca gjyqësore në ngarkim të ish presidentit të Republikës Ilir Meta, e cila zgjati rreth 8 orë.
Prokuroria e Posaçme ka bërë parashtrimet per dosjen hetimore ne ngarkim te Ilir Metës ndërsa pritet vendimi per kalimin e dosjes për gjykim në themel.
Në një komunikim me mediat në dalje të GJKKO, avokati Kujtim Cakrani është shprehur se, prokurorin nuk ka qenë i saktë në relatimin e fakteve dhe se kjo ka sjellë irritim gjatë seancës.
“Ka pasur tension mes zotit Meta dhe zotit Kllapi. Prokurori ka qenë i vetëm në seancë. Relatimi i tij ka qenë i pasaktë si në data, ashtu edhe në momente të ndryshme kohe dhe kjo ka sjellë ndërprerje dhe reagime të herëpashershme”, tha avokati Cakrani.
Ai theksoi se një nga problemet kryesore procedurale është mungesa e listës së provave mbi të cilat mbështetet akuza.
“Sot prokurori erdhi pa listën e provave. Nuk ka akuza konkrete për zotin Meta dhe zonjën Kryemadhi. Si mund të paraqitet një prokuror pa sjellë listën e provave ku bazohet akuza?”, u shpreh avokati.
Sipas Cakranit, strategjia e mbrojtjes është kërkesa për pushimin e dy akuzave kryesore: asaj për aferën ÇEZ-DIA dhe akuzës për pastrim parash lidhur me lobimin në SHBA.
Seanca e rradhës do të mbahet më 5 shkurt.
Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen që SPAK e identifikon me inicialet S.M, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.
Meta akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.
