Poloni-Shqipëri/ FSHF, kërkesë për më shumë bileta në Varshavë

Interesimi i jashtëzakonshëm i tifozëve shqiptarë për të qenë prezentë në sfidën e “Play Off”-it në Varshavë ka shtyrë Federatën Shqiptare të Futbollit që të futet në bisedime me homologët polakë për të siguruar më shumë bileta sesa 5% që lejon rregullorja e UEFA-s për ekipet në transfertë.

Zyrtarisht, Kombëtarja shqiptare ka të drejtë të ketë afro 3 mijë bileta në dispozicion në shkallët e stadiumit “Narodovi”, por burimet pranë FSHF bëjnë me dije se, për momentin, ka një sinjal pozitiv nga Polonia për të pasur 4 mijë e 500 tifozë të pranishëm për sfidën e 26 marsit, e cila është vendimtare për kualifikimin në Kampionatin Botëror.

Federata po punon që ky numër të shkojë afro 6 mijë bileta, por ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga Polonia. Këta të fundit janë duke shqyrtuar me detaje çështjet e sigurisë për një transfertë që nuk do të jetë e lehtë, edhe për faktin se vetë tifozët polakë njihen si problematikë.

Shqipëria siguroi kualifikimin për herë të parë në “Play Off”-in e Botërorit dhe shorti e vuri përballë Polonisë në transfertë.

Ndeshja do të luhet në stadiumin “Narodowy” të Varshavës, me kapacitet prej 58.000 vendesh.

Bileta më e lirë pritet të kushtojë 55 euro në pjesën e tribunave anësore, 42 në qoshet e stadiumit dhe fushës, 26 euro pas portave, ndërkohë që tribunat qendrore dhe ato VIP janë disi më shtrenjtë.

Në rast kualifikimi, kuqezinjtë do të përballen me fituesin e çiftit Suedi–Ukrainë.