
Gjykata e Apelit të Posaçëm ka rrëzuar kërkesën e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg” dhe lirim nga qelia.
Ish presidenti i vendit bëri pak ditë më parë ankimim në Apelin e GJKKO kundër vendimit të Shkallës së Parë, e cila e rrëzoi gjithashtu kërkesën për lirim nga qelia.
“Gjykata vendosi mospranimin e ankimit të paraqitur nga i pandehuri I.M., nëpërmjet mbrojtësit av. Gylsen Zhllima, ndaj disponimit nr. 863/40, datë 05.01.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”, njofton gjykata.
Kërkesa e ish presidentit për lirim nga qelia është rrëzuar edhe më parë nga të tria shkallët e gjyqësorit që kanë vendosur ta lënë në burg.
Kreu i Partisë së Lirisë i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit që kanë lënë në fuqi masën e arrestit janë antikushtetuese dhe cenojnë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Ilir Meta ndodhet në qeli prej tetorit 2024, dhe akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në bashkëpunim, së bashku me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, dhe 3 të tjerë.
