Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, i ftuar në një emision televiziv, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë dhe mazhorancës, duke deklaruar se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku vijon të mbetet e paprekur pavarësisht, sipas tij, fakteve të dala nga hetimet e prokurorisë për afera madhore korruptive.

Spahia u ndal veçanërisht te çështja e tunelit të Llogarasë, për të cilën ai pretendoi se bëhet fjalë për një ‘mega-aferë’ me vlerë të paktën 93 milionë euro, ku, sipas tij, Balluku dhe kryeministri Edi Rama janë të përfshirë drejtpërdrejt. Ai përmendi gjithashtu edhe projektin e Unazës së Tiranës, të ndarë në 14 lote, ku sipas deputetit të PD-së ka abuzime dhe vjedhje të fondeve publike.

Sipas Spahiajt, sjellja e Kuvendit në këtë rast është ‘e papërgjegjshme, antikushtetuese dhe antiligjore’, pasi në vend që të garantonte transparencë dhe pastërti institucionale, ka përdorur, siç u shpreh ai, mekanizma dhe artificë procedurale për të zvarritur pa afat shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë.
‘Jemi akoma sot e kësaj dite me një zëvendëskryeministre, numrin dy të qeverisë Rama, të akuzuar drejtpërsëdrejti dhe të faktuar madje nga hetimet e prokurorisë në një mega aferë madhore siç është ajo e tunelit të Llogarasë, ku përflitet për të paktën 93 milionë euro të grabitura nga ministrja Balluku në bashkëpunim me Edi Ramën.

Por jo vetëm, kemi aferën tjetër të unazës së Tiranës. 14 lotet e saj, ku edhe aty ka abuzime dhe vjedhje direkte të Belinda Ballukut dhe Edi Ramës. I përfshij të dy bashkë jo pa qëllim, pasi është tanimë evidente përfshirja e kryeministrit Edi Rama direkt në këto afera korruptive, siç është evidente dhe e faktuar tashmë edhe nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme dhe tek përfshirja e Edi Ramës edhe tek afera e AKSH-it.

Sigurisht që do ta marrin në mbrojtje, pasi duke mbrojtur Ballukun, ai po mbron veten.

Vazhdojmë me aferat e tjera korruptive. Po. Pra, është evidente që në gjithë këtë sjellje të institucioneve shqiptare, përfshirë këtu parlamentin dhe Gjykatën Kushtetuese, ka një koordinator, i cili lëviz fijet në mënyrë të atillë që e akuzuara direkt për grabitje të fondeve publike, pra vjedhje dhe përfshirje në aferë korruptive, Belinda Balluku, të mos preket, të mos i hiqet imuniteti parlamentar.

Kjo sjellje e kuvendit të Shqipërisë ka filluar në fakt që me datën 16 dhjetor, në momentin kur prokuroria e posaçme bëri kërkesën për heqjen e imunitetit të ë, pezullimin nga detyra dhe zëvendëskryeministres Balluku, në mënyrë që të garantohej le të themi paprekshmëria e provave të tjera dhe mos influenca e saj nëpërmjet pozicionit të zëvendëskryeministres si në kërcënimin e dëshmitarëve të mundshëm, ashtu edhe në tjetërsimin e provave konkrete.

Sjellja e kuvendit ka qenë krejtësisht e papërgjegjshme përveçse edhe antikushtetuese dhe antiligjore. Në një kohë kur do të duhej të ishte institucioni që garanton ë, transparencë dhe pastërti nëpërmjet miratimit të kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit të një të akuzuare për korrupsion dhe grabitje të fondeve publike, parlamenti, siç e shihni ju, nëpërmjet mekanizmave dhe artificave aspak ligjore, e zgjat pafundësisht këtë proces’, u shpreh deputeti Bardh Spahia .

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re