Presidenti i Republikës Bajram Begaj i ka dorëzuar mbrëmjen e sotme flamurin ekipit të sportistëve shqiptarë që do të garojnë në Lojërat Okimpike Dimërore Milano–Cortina.

Kreu i shtetit theksoi se pjesëmarrja e sportistëve shqiptarë në këtë ngjarje madhore ndërkombëtare është dëshmi e progresit dhe ambicies së vendit në arenën sportive.

Sipas Begajt, suksesi matet me përkushtimin, profesionalizmin dhe pasionin e sportistëve, duke shtuar se ata janë shembull frymëzimi për të rinjtë shqiptarë dhe dëshmi se ëndrrat nuk kanë kufij.

“Ju do të përfaqësoni vendin tuaj, do të mbani ambicien e Shqipërisë, ku deri dje ishim vizitorë të largët. Tani renditemi me dinjitet në vende që kanë rekorde në lojërat dimërore dhe duhet të na bëjnë krenarë. Nuk matet me kilometra katrorë të pistave të skive, por matet me madhësinë e zemrës së atyre sportistëve.

Ju jeni katërshja që keni thyer traditën e pjesëmarrjes në organizime të cilat për ne më parë nuk imagjinoheshin.

Shqipëria renditet krah vendeve me traditë ndërvjeçare sepse ju besuat te stërvitja, profesionalizmi dhe te pasioni juaj. Ju jeni dëshmia se ëndrrat e të rinjve nuk kanë kufij”, tha ndër të tjera gjatë fjalës së tij Presidenti Begaj.

Lojërat Olimpike Dimërore 2026 do të zhvillohen nga 6 deri më 22 shkurt 2026 në veri të Italisë, duke shënuar një rikthim të veçantë në Cortina d’Ampezzo, 70 vjet pasi ajo priti për herë të parë Lojërat në vitin 1956, dhe duke i rikthyer Lojërat Olimpike Dimërore në Itali për herë të tretë.

Këto Lojëra do të jenë unike jo vetëm për shkak të vlerës së tyre historike, por edhe sepse do të shtrihen në disa qytete dhe rajone malore, me Milanon që do të presë sportet e akullit dhe arenat ikonike alpine të Cortinës, që do të mirëpresin garat e skive dhe sporteve të borës. Programi përfshin 16 disiplina dimërore në peizazhe mahnitëse, nga Alpet deri te Dolomitet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re