“Rama gënjen për reformën në drejtësi”, Lapaj: Po mbron Ballukun, bëri dhe nen për të dënuar më shumë bashkëpunëtorët e drejtësisë

Kryeministri Edi Rama mashtron kur thotë se ka bërë reformën në drejtësi, pasi ai jo vetëm po e sulmon drejtësinë, por edhe po mbron të korruptuarit pranë tij, si Belinda Ballukun, duke mos ia dorëzuar drejtësisë.

Kështu u shpreh nga podiumi i protestës kombëtare të Lëvizjes Shqipëria Bëhet në bulevardin para kryeministrisë mbrëmjen e sotme (31 janar), Adriatik Lapaj.

“Rama sot është simbol i korrupsionit dhe i tillë do të mbahet mend gjatë. Ai njihet sot si Edi që ka vjedhur Shqipërinë. Ndaj t’i kujtojmë atij “Edi Rama o hajdut, o hajdut!” Edi Rama pretendon se ai është autori i reformës së drejtësisë, gënjen apo thotë të vërtetën? Thotë se po modernizon shtetin. Se është njeriu që ka luftuar korrupsioni, gënjen! Pretendon se në spitalet tona ka ilaçe, gënjen apo thotë të vërtetën? Thotë se ka luftuar korrupsionin, gënjen apo thotë të vërtetën? Thotë se do çojë Shqipërinë në BE. Ai është mashtrues që i ka vjedhur popullit paratë që i ka dërguar në disa duar. Ndaj sot i themi “Edi Rama o hajdut, o hajdut”, u shpreh ai mes të tjerash, duke kujtuar deklaratat për analogji dhe diskurs politik të kreut të mazhorancës.

Ai falënderoi të gjithë mbështetësit e shumtë në shesh, ndërsa nënvizoi se kryeministri ka vetëm një qëllim, korrupsionin dhe mbrojtjen e Belinda Ballukut.

Lapaj solli në vëmendje një prej neneve të Kodit Penal të ndryshuar, që godet edhe më shumë bashkëpunëtorët e drejtësisë. Sipas tij, Rama e bëri qëllimisht për të mbrojtur Ballukun dhe të korruptuarit dhe për të trembur bashkëpunëtorët e drejtësisë.

“Ju në këtë shesh jeni dallëndyshet e para që do i jepni fund këtij regjimi, ndaj unë sot përulem para jush. Ai po mbron sot Belinda Ballukun, po fshihet pas ndryshimeve të Kodit Penal, po heq veprën në të cilën bashkëpunëtorët e drejtësisë të dënohen më shumë. Pse e kanë bërë, sepse po mbrohen ata që po merren të pandehur nga drejtësia”, vijoi ai.

Kreu i Lëvizjes Shqipëria Bëhet vuri në dukje gjithashtu se edhe pse e vërtetuar se “Belinda e Edit” ka vjedhur dhe abuzuar me tenderët dhe paratë e shqiptarëve, ajo ende qëndron në kolltuk dhe nuk i dorëzohet drejtësisë.