Në botën e futbollit, Pep Guardiola njihet si gjeniu i taktikës që e ka transformuar lojën, por jashtë fushës së blertë, ai po dëshmon se është një zë i fuqishëm për njerëzimin. Gjatë një fushate bamirësie në Barcelonë, Guardiola u ndal te kriza në Palestinë, duke mbajtur një fjalim që dridhi zemrat e të pranishmëve. Ai e nisi me një përshëndetje plot kuptim: “Mirëmbrëma; paqja qoftë mbi ju”.
Duke reflektuar mbi tmerret e luftës, ai ndau dhimbjen që ndjen kur sheh vuajtjet e të pafajshmëve. “Kur gjatë këtyre dy viteve të fundit shoh një fëmijë në ato imazhet në rrjetet sociale dhe në televizion, duke filmuar veten dhe duke u përgjëruar, duke pyetur se ku është nëna e tij – ndërsa ajo është e varrosur nën rrënoja dhe ai nuk e di ende, gjithmonë mendoj: çfarë duhet të jetë duke menduar ai?”- tha ai plot emocion.
Trajneri i njohur nuk u kursye në kritika ndaj liderëve botërorë, duke deklaruar: “Unë ndiej se i kemi lënë vetëm palestinezët. Ata janë sot të braktisur, të neglizhuar. Gjithmonë i imagjinoj duke thënë: Ku jeni? Ejani dhe na ndihmoni. Dhe deri më tani, ne nuk e kemi bërë këtë”.
Ai i quajti burracakë ata që nxisin konfliktet, duke thënë: “Ata që janë në pushtet janë frikacakë, sepse dërgojnë të rinj të pafajshëm për të vrarë njerëz të pafajshëm. Këtë bëjnë vetëm frikacakët. Sepse ata vetë qëndrojnë në shtëpitë e tyre, me ngrohje kur është ftohtë dhe me kondicioner kur është nxehtë”.
Thirrja e tij ishte e qartë: veprimi është i domosdoshëm. “Ne duhet të bëjmë një hap përpara. Thjesht të jesh i pranishëm në një tubim do të thotë shumë. Ajo që shkaktojnë bombat, dhe ajo që ato duan të shkaktojnë, është heshtja. Pra, që ne të kthejmë kokën në anën tjetër. Ky është qëllimi i tyre i vetëm: që ne të mos bëjmë një hap përpara”- shtoi trajneri i famshëm.
Guardiola e mbylli fjalimin e tij duke theksuar se kjo nuk është vetëm një çështje politike, por njerëzore: “Dhe kësaj duhet t’i rezistojmë. Thjesht nuk duhet të kthejmë kokën nga ana tjetër. Duhet të përfshihemi dhe të marrim pjesë në protesta. Ne qëndrojmë para botës për të treguar se jemi në anën e më të dobëtit, që në këtë rast është Palestina. Por jo vetëm për Palestinën; për të gjitha kauzat. Kjo është një deklaratë për Palestinën, dhe është një deklaratë për njerëzimin”.
Ky qëndrim i Guardiolës, duhet të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjithë personazhet e tjerë publikë anembanë botës. Në një kohë kur heshtja shpesh shihet si komoditet, figurat me ndikim të madh duhet të gjejnë guximin për të ngritur zërin kundër padrejtësive.
Duke ndjekur shembullin e tij, ata do të dëshmonin se përtej famës, titujve dhe suksesit, janë mbi të gjitha njerëz që ndiejnë dhimbjen e tjetrit dhe se integriteti moral vlen më shumë se çdo imazh i kuruar./tesheshi. com/



