Në seancën e sotme për masën e sigurisë, Erion Veliaj është paraqitur pa avokat të zgjedhur, duke u mbrojtur personalisht në kërkesën për zëvendësimin e masës “arrest në burg”.
Veliaj ka refuzuar avokaten e caktuar kryesisht nga gjykata dhe ka kundërshtuar çdo formë mbrojtjeje të realizuar prej saj, duke argumentuar se ajo nuk ka njohje reale mbi dosjen penale dhe se një përfaqësim i tillë është në kundërshtim të plotë me interesat dhe strategjinë e tij të mbrojtjes dhe nuk përfaqëson vullnetin e tij.
Sipas Veliajt, e drejta për mbrojtje nuk mund të reduktohet në një prani formale avokati, por kërkon njohje efektive të provave dhe aftësi reale për t’i kundërshtuar ato. Ai ka bërë të ditur se të premten ka testuar profesionalisht avokaten e caktuar nga gjykata, nga ku ka rezultuar se ajo nuk kishte njohuri reale mbi dosjen, ndonëse bëhet fjalë për një çështje voluminoze dhe komplekse, e cila, sipas standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kërkon një periudhë shumë të gjatë dhe serioze pune për t’u përvetësuar nga një profesionist.
Për këtë arsye, Veliaj ka deklaruar se nuk pranon që kjo mbrojtje të flasë apo të veprojë në emrin e tij.
Në këtë kontekst, kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë lidhet drejtpërdrejtë edhe me pamundësinë objektive për t’u njohur me dosjen në kushtet e izolimit.
Veliaj ka këmbëngulur se realizimi i së drejtës për t’u njohur me aktet dhe për të ndërtuar vetë mbrojtjen e tij përbën një shkak autonom dhe thelbësor për zëvendësimin e masës “arrest në burg”, duke theksuar se asnjë avokat, sado mirë të njohë dosjen, nuk mund të ndërtojë një mbrojtje reale pa bashkëpunim të plotë me të pandehurin dhe pa njohjen e drejtpërdrejtë personale të çështjes.
Në këto kushte, vijimi i paraburgimit, sipas tij, ka humbur proporcionalitetin dhe bie ndesh me standardet kushtetuese të procesit të rregullt ligjor.
“Paraburgimi është kthyer nga një instrument i mbrojtjes se hetimit ne një instrument dënimi pa gjyq dhe pa proces te rregullt ligjor“, sipas Veliajt.
Erion Veliaj ndodhet në qeli prej pothuajse një viti. Ai u arrestua më 10 shkurt të vitit 2025. i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kjo e fundit kërkoi pushim të çështjes të premten e kaluar.
Kryebashkiaku e ka ankimuar disa herë masën e sigurisë “arrest me burg”.
Së fundmi, edhe në Gjykatën Kushtetuese, së cilës i kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të tre vendimeve të GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë, dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shkak të shkeljes së rëndë të procesit të rregullt, proporcionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë.
Në korrik të këtij viti, Gjykata e Lartë vendosi të mos ndryshojë masën ndaj tij, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit. Ndërsa, më 3 nëntor, Kushtetuesja vendosi me shumicë votash në favor të tij, duke e kthyer në detyrën e kryebashkiakut të bashkisë më të madhe në vend pasi u shkarkua nga Këshilli Bashkiak.



