Policia Kufitare e Portit të Durrësit ka goditur një rast të kontrabandës së mallrave, duke vënë në pranga një 37-vjeçar nga Tirana. Gjatë një kontrolli të imtësishëm në kamionin që drejtonte shtetasi me iniciale J. T., efektivët zbuluan një sasi të konsiderueshme mallrash të padeklaruara që po tentoheshin të futeshin në Shqipëri.
Mallrat ishin fshehur brenda mjetit dhe për to nuk kishte asnjë faturë origjine apo deklaratë importi. Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi 360 shishe verë, pjesë të ndryshme këmbimi për automjete të përdorura, kamionin si dhe aparatin celular të drejtuesit.
Sipas autoriteteve, operacioni u bazua në analizën e riskut dhe informacionet e siguruara në rrugë operative. 37-vjeçari dyshohet se ka tentuar qëllimisht t’u shmangej detyrimeve doganore duke mos deklaruar mallrat.
Njoftimi:
PKK Port, Durrës
Vijojnë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në kufi.
Tentoi të kontrabandonte mallra duke i fshehur në kamionin që drejtonte; vihet në pranga një 37-vjeçar.
Sekuestrohen pije alkoolike dhe pjesë të ndryshme këmbimi automjetesh të përdorura, të gjitha të padeklaruara.
Si rezultat i kontrolleve të imtësishme të ushtruara në hyrje-dalje nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port, Durrës, të bazuara në informacione policore dhe në analizën e riskut, u arrestua në flagrancë shtetasi J. T., 37 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit shërbimet e Policisë Kufitare gjetën të fshehura në kamionin që drejtonte qindra shishe me verë dhe pjesë të ndryshme këmbimi automjetesh, pa faturë origjine dhe pa deklaratë importi.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka tentuar t’i shmanget kontrollit doganor dhe kufitar, duke mos deklaruar sasinë e mallrave para autoriteteve doganore dhe kufitare.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
- 360 shishe verë,
- pjesë të ndryshme këmbimi automjetesh të përdorura,
- aparati celular dhe kamioni me të cilin po transportoheshin mallrat e padeklaruara.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.



