Pas rreth 7 orësh, akaksrrugor Librazhd-Qafë Thanë është zhbllokuar dhe ka rinisur qarkullimi i automjeteve.

Që prej orës 11:00, lëvizja në të dy krahët e rrugës ishte ndalur për shkak të rrëshqitjes së një masivi dheu e gurësh në Kthesën e Dragostunjës.

Puna e ekskavatorëve dhe fadromës përfundoi me pastrimin e gurëve dhe dheut në rrugë duke e bërë aksin të kalueshëm në dy krahët.

Megjithatë qarkullimi është tepër i rënduar për shkak të thyerjes së rregullave nga padurimi i drejtuesve të mjeteve që futen në parakalime apo vendosen keq në rrugë.

Autoriteti Rrugor thotë se po kryhet menaxhimi i trafikut, ndërsa kërkon bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve për mbarëvajtjen e qarkullimit.

“Aksi Elbasan–Qafë Thanë u hap për qarkullimin e mjeteve. Policia Rrugore së bashku me Autoritetin Rrugor Shqiptar po bëjnë menaxhimin e trafikut. Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës dhe respektimin e udhëzimeve të autoriteteve për mbarëvajtjen e qarkullimit”, thuhet në njoftim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re