Të tjera detaje mësohen lidhur me atentatin që tronditi mbrëmjen e së dielës, 1 shkurt, Lezhën, ku mbeti i plagosur 30-vjeçari Sokol Daci.

Burime nga grupi hetimor nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se 30-vjeçari nuk ka qenë shënjestra e atentatit. Mendohet se shënjestër ishte një nga katër personat e tjerë që ndodheshin brenda biznesit të tij në momentin kur ndodhi ngjarja.

Dyshohet se kanë qenë tre persona të cilët kanë mbërritur në fshatin Rrilë të Lezhës me një mjet tip “Audi”, dhe pasi janë ulur nga makina, kanë qëlluar në drejtim të berberhanes, duke lënë të plagosur Sokol Dacin, i cili ka marrë tre plumba, një në shpatull, një në bark dhe një në këmbë.

Brenda biznesit dyshohet të kenë qenë edhe katër persona të tjerë të cilët, sipas grupit hetimor, janë kundërpërgjigjur me armë zjarri.

Fatmirësisht, i riu ndodhet në gjendje të stabilizuar, jashtë rrezikut për jetën. Biznesi nuk ka patur kamera sigurie, por po këqyren bizneset e tjera që mund të kenë kamera sigurie dhe ta kenë regjistruar këtë moment.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re