Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro u është drejtuar sot maturantëve me një mesazh informues dhe motivues, duke bërë me dije se nga sot ka nisur procesi i plotësimit të formularit A1, përmes të cilit nxënësit përcaktojnë lëndët me zgjedhje për provimet e Maturës Shtetërore 2026.
Në fjalën e saj, ministrja theksoi rëndësinë e këtij vendimi, duke nënvizuar se zgjedhja e lëndëve ndikon drejtpërdrejt në orientimin akademik dhe studimet e mëtejshme. Ajo u bëri thirrje maturantëve të mos e marrin këtë vendim në mënyrë të nxituar:
“Mendojeni mirë këtë vendim të rëndësishëm, këshillohuni me mësuesit tuaj dhe me prindërit, sepse zgjedhja që bëni sot do t’ju orientojë drejt fazës tjetër të studimeve tuaja,” u shpreh ministrja.
Ministrja informoi gjithashtu se për maturantët e viteve të mëparshme, aplikimi me formularin A1Z do të zhvillohet në datat 10–11 shkurt, ndërsa Drejtoritë Rajonale Arsimore, zyrat arsimore dhe shkollat janë në dispozicion për të ofruar asistencë gjatë gjithë procesit të aplikimit.



