Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbyllje të fjalës së tij para grupit parlamentar ditën e sotme (2 shkurt), tha se misioni i opozitës me protesta do vazhdojë deri në rrëzimin e diktaturës së instaluar nga Edi Rama dhe deri në rikthimin e votës së lirë.

Teksa akuzoi mazhorancën dhe qeverinë për skandalet e panumërta, përfshi dy më të mëdhatë me zv/kryeministren Belinda Balluku dhe AKSHI, ai shtoi se “e gjithë Evropa dhe Bota po pret protestën tonë”.

“E gjithë Evropa pret protestën tonë. E gjithë bota pret protestën tonë. I kanë përcjellë protestat me interesin maksimal, ndaj edhe ne do vazhdojmë misionin, misionin e përmbysjes së kësaj diktature dhe rikthimit të votës së lirë të shqiptarëve”, u shpreh kreu i selisë blu gjatë mbledhjes.

Opozita sot bojkotoi Reformën Territoriale, teksa mazhoranca ka paralajmëruar se do prishi parimin e paritetit në seancën e nesërme të Kuvendit, ku pritet të marrë shumicën.

Berisha tha se Ergys Agasi i Policisë është Ilir Proda, i zgjedhur nga krimi i organizuar dhe përfaqësues i tyre.

Ai foli për “kryengritje paqësore”, ndërsa nxiti drejtësinë për hetime të thelluara dhe veprime më të forta.Berisha theksoi rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët përmes bisedave, sqarimeve dhe debateve, duke akuzuar qeverinë për përdorim të propagandës. Berisha e cilësoi këtë propagandë si “toksike”, ndërsa mediat që, sipas tij, mbështesin qeverinë, i akuzoi për “glorifikim të skajshëm”.

“Duhet t’i kundërvihemi propagandës në takime me qytetarët dhe të denoncojmë propagandën e turpshme të mediave që paguhen nga qeveria”, tha Berisha, duke kërkuar mobilizim maksimal të strukturave të PD-së në ditët në vijim.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re