Mbledhja e sotme e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike u shoqërua me debate, pas propozimit për të bojkotuar Komisionet Parlamentare të Reformës Territoriale dhe Zgjedhore.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura, disa deputetë dolën kundër bojkotit.
LEXO EDHE: EMRAT/ Debat në Grupin e PD për bojkotin e Komisioneve, disa deputetë kundër. Tërhiqet Berisha
Një prej tyre ishte edhe deputeti i Korçës, Bledion Nallbati.
“Jemi bërë si filmi ‘Dy herë mat”, edhe akullore, edhe çokollatë. Shkojmë në parlament nuk shkojmë në dy komisionet më të rëndësishme. Nëse shkojmë me idenë që Edi Rama s’na jep asgjë, më mirë mos të shkojmë në parlament fare. Duhet shkojmë të shpalosim atje opsionin tonë për qytetarët, pastaj nëse zgjidhim variantin e bojkotit, të bojkotojmë çdo gjë, të shkojmë në grevë në përshkallëzime më të mëdha nuk shkon të shkojmë në komisione të tjera e jo te reformat, duhet të ndajmë mendjen”, mësohet të ketë thënë Nallbati.
Kritika mbi qëndrimet kanë patur edhe deputetë të tjerë.
“Asnjë prej nesh nuk do bojkot, në kushtet kur mazhoranca ka mbyllur çdo derë dhe në këto kushte të parlamentarizmit detyrohesh të marrësh qëndrime ekstreme”, është shprehur Tritan Shehu.
“Nuk duhet ta lëmë hapësirën bosh në Komisionin e Reformës Territoriale. Pavarësisht nëse na dëgjojnë apo nuk na dëgjojnë, ne shkojmë për qytetarët dhe interesin publik“, tha Zhupa.
“Që ata do bejnë çfarë duan ata, ne këtë e kemi të qartë, por ne duhet të shfrytëzojmë pjesemarrjme tonë për të ‘grisur’ reformën që kanë bërë deri më sot“, tha Bozdo.
Ndërkohë pas mbledhjes, Luçiano Boçi deklaroi se PD ka vendosur që të mos bojkotojë Komisionet, por të marrë pjesë.
LEXO EDHE: PD tërhiqet nga bojkoti, Boçi: Do të marrim pjesë në Komisione, por…



