Një operacion është në zhvillim e sipër në Durrës dhe në Tiranë për 2100 ton mbetjet e rrezikshme të kompanisë “Kürüm International” që u kthyen nga Tajlanda.

Në total janë lëshuar në total 33 urdhërarreste nga Prokuroria e Durrësit, nga të cilat 26 masa arrest në burg dhe 6 të tjera arrest shtëpie.

LEXO EDHE: FOTO-EMRI/ Mes të ndaluarve për skandalin e mbetjeve të rrezikshme, kush është drejtoresha e Agjencisë së Arsimit Parauniversitar? 

Operacioni është në zhvillim për ekzekutimin e masave të sigurisë në 3 qytete, Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

Masat vijnë pas mbërritjes nga Italia të rezultateve të analizave laboratorike për mostrat e mbetjeve të sekuestruara, të cilat, sipas burimeve hetimore, i klasifikojnë ato si të dëmshme dhe potencialisht kancerogjene për shëndetin e njeriut.

Masat e sigurisë

Arrest me burg

Erdal Demir – Administratori i “Kürüm International

Yusuf Sezai Kurum – Administrator me prokurë i “Kürüm International

Gjovana Sokolaj – Pronare e kompanisë “Sokolaj”

Doni Sokolaj – Administrator i kompanisë D.o.o Minerals

Olizana Pemati – Ish- administratore e kompanisë “Sokolaj”

Mujo Ilazaj – Drejtori i Transportit në kompaninë “Kürüm International

Rami Bunga – Specialist pranë zyrës së mjedisit në “Kürüm International

Harun Sarica – Drejtori i prodhimit të çelikut në “Kürüm International

Arif Shkalla – Drejtues në kompaninë “Kürüm International

Shaban Hyseni – Drejtor i departamentit të shitjeve në “Kürüm International

Mikail Hila – Aksioner i agjencisë doganore “Joti Spedition”

Mbarime Koroci – Aksionere e kompanisë “Alliance Resource”

Nazif Bajrami – Pronar i kompanisë “Bajrami N”

Andon Prifti – Administrator i kompanisë “Bajrami N”

Petrit Qosja – Person fizik në tregtinë e mbetjeve

Indrit Likaj – Dega e Doganës Durrës

Helidon Lila – Dega e Doganës Durrës

Edmond Voda – Dega e Doganës Durrës

Shkëlqim Jakupi – Dega e Doganës Durrës

Florian Çimo  – Administrator i kompanisë koncesionare EMS APO

Gazmend Sina – Punonjës i kompanisë koncesionare EMS APO

Ingo Hesse – administrator i kompanisë EMS APO

Dritan Seferaj – Drejtoria e Inspektim- Kontrollit, AKM

Xhulio Golgota – Inspektor i Autoritetit Portual Durrës

J.K   arrest me burg

K.M   arrest me burg

Arrest shtëpie

Mirjeta Zotaj – Kontabiliste e kompanisë “Sokolaj”

Kledina Skendo – Sektori i monitorimit të lejeve mjedisore, AKM

Evis Mellonashi – Sektori i lejeve mjedisore, AKM

Iva Musa – Inspektore e Autoritetit Portual Durrës

Marjeta Përlala – Drejtoresha aktuale e AKM

Arta Dollani – Ish- drejtoresha e Përgjithshme e AKM

B.T  arrest shtëpiak

Si u fshehën 10 kontejnerët me mbetje të rrezikshme?

Brenda 102 kontejnerëve me mbetje të kompanisë turke, që do të eksportoheshin drejt Tajlandës nëpërmjet kompanisë “Sokolaj” sh.p.k. të Gjovana Sokolajt, është verifikuar se ishte futur hiri i furrave të metalurgjikut, një mbetje e rrezikshme.

Sipas dokumenteve të Prokurorisë, rezulton se të dyja kompanitë kanë kryer një sërë veprimesh për të fshehur llojin e vërtetë të mbetjes.

Analizat laboratorike dhe aktet e ekspertimit kanë konfirmuar se bëhet fjalë për mbetje të koduara 10 02 07*, të cilat konsiderohen të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin.

Duke iu referuar akteve të administruara dhe rezultateve të ekspertimit, rezulton se subjektet Sokolaj sh.p.k. dhe Kurum International, në dijeni të plotë të rrezikshmërisë së mbetjeve të rrezikshme, të cilat kualifikohen sipas kodit 10 02 07*, kanë kryer një sërë veprimesh për fshehjen e llojit të vërtetë të mbetjes, në bashkëpunim edhe me të tretë, me qëllim eksportimin jashtë Shqipërisë, duke iu shmangur të gjitha detyrimeve ligjore të parashikuara në legjislacionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë.

2100 tonë mbetje

102 kontejnerët me 2100 tonë mbetje që kishin destinacion Tajlandën, u kthyen në nëntor 2024 në vendin tonë pasi organizata mjedisore “Basel Action Network” ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme.

Pas denoncimit, Prokuroria e Durrësit nisi hetim ndaj kompanisë eksportuese “Sokolaj” sh.p.k, e cila nga ana e saj ka deklaruar se i kishte blerë mbetjet nga kompania e prodhimit të shufrave të hekurit, “Kürüm International”.

Ngarkesa u nis nga porti shqiptar, si pjesë e një marrëveshjeje eksporti të kompanisë shqiptare “Sokolaj”, e cila i kishte blerë mbetjet nga kompania Kurum, prodhuese e çelikut dhe hekurit, në mjediset e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan, për një vlerë 141 mijë dollarë dhe ia shiti subjektit kroat “GS Minerals Doo” për një vlerë 141 mijë dollarë.

Pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara, anija u kthye në Shqipëri dhe mbërriti mëngjesin e 28 tetorit 2024, në radën e jashtme të portit detar të Durrësit, ndërsa u ankorua në port më 8 nëntor 2024.

Kush është “Kürüm International”

“Kürüm International”, pjesë e “Kürüm Holding” në Turqi, vepron në ambientet e privatizuara të ish Kombinatit Metalurgjik në Elbasan që prej vitit 2009.

Uzinat e Prodhimit të Çelikut Elbasan të cilat kanë një kapacitet të gjerë shtrihen në një kompleks me sipërfaqe totale 219.410 m2 të përbërë nga një uzinë çeliku, tre uzina petëzimi dhe një hapësirë pjesërisht të mbyllur prej 88.410 m2 .

Sot kompleksi me kapacitet prodhimi 700.000 ton të hekurit për ndërtim të petëzuar në të nxehtë dhe 510.000 ton prodhim çeliku të lëngshëm.

“Zullumet” në Shqipëri

“Kürüm International”, që prej vitit 2009, duke shkrirë çdo ditë tonelata me hekurishte të ardhura nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Bullgaria, Mali Zi, e deri nga Serbia,  helmoi gjithçka. Tokën, ajrin, lumin, pyjet, rrugët, pemët, të mbjellat, bagëtitë, pulat, lopët, dhe mbi të gjitha jetën e banorëve të zonave ku punon si Bradasheshin, Shijonin, Kusarthin, Katundin e Ri, dhe deri ata të Elbasanit.

Madje për dëmin e madh të ndotjes vite më parë iu pezullua edhe leja nga Inspektorati i Mjedisit, por pavarësisht kësaj ajo solli sërish helme.

Mashtrime me bankat

Në vendin e origjinës, Turqi, pronari Asmet Kürüm ka qenë protagoniste e një tjetër skandali mashtrimi ku mediat turke e akuzuan se u mori qindra miliona euro bankave turke e britianike dhe 210 milion euro bankave shqiptare në formë kredie duke gënjyer me bilancet.

Skandali mori përmasa më të mëdha pasi pjesë e listës së bankave të mashtruara ishin turke, shqiptare, madje edhe britanike duke e kthyer në një skandal ndërkombëtar.

Gazeta turke “Sabah” raportonte se skandali i kompanisë turke “Kürüm Demir”, e cila ka operuar në Shqipëri përmes kompanisë “Kürüm International” ka të bëjë me një mashtrim gjigant që i është bërë bërë 33 bankave në Turqi, Shqipëri dhe Angli. S

iç shkruante gazetarja turke Dilek Güngor, mashtrimi ishte aq mirë i menduar sa “nuk do t’i shkonte ndërmend as djallit”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re