Mes personave ndaj të cilëve Prokuroria e Durrësit ka lëshuar masa sigurie për skandalin e mbetjeve të “Kürüm International” është edhe Arta Dollani.

Dollani, e cila sot mban detyrën si drejtoreshë e Agjencisë së Arsimit Parauniversitar, akuzohet për shkeljet e kryera në kohën kur mbante postin e drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Nga 33 masat e sigurisë të firmosura nga organi i akuzës, 26 janë masa “arrest me burg”, ndërsa 7 masa të tjera janë “arrest në shtëpi” dhe një prej tyre është pikërisht Dollani.

Ajo dyshohet për shpërdorim detyre dhe shkelje të procedurave ligjore lidhur me mbikëqyrjen dhe dhënien e lejeve mjedisore.

Kujtojmë se, Arta Dollani është një ndër njerëzit që ka firmosur disa akte të rëndësishme, që nga prishja e Teatrit Kombëtar, fasada e stadiumit kombëtar, rasti i Butrintit, Bylisit, etj.

LEXO EDHE: 33 urdhërarreste për 2100 tonë mbetje të rrezikshme, si u fshehën 10 kontejnerët?/ Zullumet e vazhdueshme të “Kürüm” në Shqipëri

Operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë po kryhet nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Policinë e Tiranës, ndërsa kontrollet dhe arrestimet janë shtrirë në disa qytete të vendit.

Hetimet kanë konfirmuar se mbetjet e sekuestruara në 102 kontejnerë kanë rezultuar të rrezikshme, pas analizave laboratorike të kryera nga autoritetet kompetente. Këto mbetje ishin bllokuar në Portin e Durrësit, pas dyshimeve se po trajtoheshin apo transportoheshin në kundërshtim me ligjin dhe standardet mjedisore.

Rreth një vit më parë, autoritetet shqiptare bllokuan dhjetëra kontejnerë me mbetje industriale, për të cilat kishte dyshime se përmbanin materiale të rrezikshme dhe toksike.

Rasti shkaktoi reagime të forta publike, shqetësim nga organizatat mjedisore dhe kërkesa për transparencë mbi mënyrën sesi kompanitë e mëdha industriale trajtojnë mbetjet e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re