Një operacion i përbashkët i Policisë së Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit është zhvilluar për zbatimin e masave të sigurisë të firmosura nga gjykata në lidhje me çështjen e mbetjeve të kompanisë “Kurum”.
Raportohet se janë firmosur gjithsej 33 masa sigurie ndaj personave të dyshuar për përfshirje në këtë çështje.
Nga këto, 26 masa janë “arrest me burg”, ndërsa 7 masa janë “arrest shtëpie”.
Këtu përfshihen edhe biznesmenë, zyrtarë të AKM dhe Doganave.
“Arrest shtëpie” është lëshuar për Arta Dollanin, ish-drejtoreshë e AKM (Agjencia Kombëtare e Mjedisit).
Aktualisht ajo mban detyrën si drejtoreshë e Agjencisë së Arsimit Parauniversitar.
Masat e sigurisë
Arrest me burg
Erdal Demir – Administratori i “Kurum International”
Yusuf Sezai Kurum – Administrator me prokurë i “Kurum”
Gjovana Sokolaj – Pronare e kompanisë “Sokolaj”
Doni Sokolaj – Administrator i kompanisë D.o.o Minerals
Olizana Pemati – Ish- administratore e kompanisë “Sokolaj”
Mujo Ilazaj – Drejtori i Transportit në kompaninë “Kurum”
Rami Bunga – Specialist pranë zyrës së mjedisit në “Kurum”
Harun Sarica – Drejtori i prodhimit të çelikut në “Kurum”
Arif Shkalla – Drejtues në kompaninë “Kurum”
Shaban Hyseni – Drejtor i departamentit te shitjeve në “Kurum”
Mikail Hila – Aksioner i agjencisë doganore “Joti Spedition”
Mbarime Koroci – Aksionere e kompanisë “Alliance Resource”
Nazif Bajrami – Pronar i kompanisë “Bajrami N”
Andon Prifti – Administrator i kompanisë “Bajrami N”
Petrit Qosja – Person fizik në tregtinë e mbetjeve
Indrit Likaj – Dega e Doganës Durrës
Helidon Lila – Dega e Doganës Durrës
Edmond Voda – Dega e Doganës Durrës
Shkëlqim Jakupi – Dega e Doganës Durrës
Florian Çimo – Administrator i kompanisë koncesionare EMS APO
Gazmend Sina – Punonjës i kompanisë koncesionare EMS APO
Ingo Hesse – administrator i kompanisë EMS APO
Dritan Seferaj – Drejtoria e Inspektim- Kontrollit, AKM
Xhulio Golgota – Inspektor i Autoritetit Portual Durrës
J.K arrest me burg
K.M arrest me burg
Arrest shtëpie
Mirjeta Zotaj – Kontabiliste e kompanisë “Sokolaj”
Kledina Skendo – Sektori i monitorimit të lejeve mjedisore, AKM
Evis Mellonashi – Sektori i lejeve mjedisore, AKM
Iva Musa – Inspektore e Autoritetit Portual Durrës
Marjeta Përlala – Drejtoresha aktuale e AKM
Arta Dollani – Ish- drejtoresha e Përgjithshme e AKM
B.T arrest shtëpiak

Eksporti i dyshuar i mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u denoncua më 5 gusht nga “Basel Action Network”, një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara.
Më 5 gusht 2024 organizata ngriti alarmin se një anije gjigande kontejnerësh prej 175 mijë tonësh e linjës ‘Maersk’ u zhduk në fund të korrikut nga radarët afër Cape Town në Afrikën e Jugut, pas një sinjalizimi të bërë prej saj tek autoritetet vendase.
Bazuar në të dhënat e ofruara nga një sinjalizues, “Basel Action Network”, BAN, beson se anija ‘Maersk Campton’ dhe një anije e dytë kontejnerësh e së njëjtës linjë, ‘Maersk Candor’, kanë ngarkuar në portin e Durrësit në fillim të korrikut 2024 rreth 100 kontejnerë me mbetje të rrezikshme, e cila vjen nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD) me destinacion Tajlandën.
Ministria e Mjedisit, në një reagim për mediat në vitin 2024, pranoi se mbetjet e ngarkuara në Durrës vinin nga metalurgjiku.
“Vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan”, sqaronte ministria, ndërsa kompania “Kurum” ka mohuar të ketë lidhje me eksportin e mbetjeve të rrezikshme.



