Kryeministri Edi Rama vijon replikat në distancë me Shoqatën e Prokurorëve.
Rama i referohet një postimi të gazetarit Isa Myzyraj, i cili shkruan se kjo Shoqatë rezulton e regjistruar, ndryshe nga sa tha kryeministri.
Por, ky i fundit i përgjigjet duke thënë se regjistrimi i një shoqate nuk mbyllet me gjykatën, por duhet bërë edhe te tatimet.
Sipas Ramës, shoqata është ende në kohë për tu regjistruar, por e solli në vëmendje për të “ilustruar” moshën fare të njomë të shoqatës.
Reagimi i Ramës:
“Një zëdhënës/e vullnetar/e i/e shoqatës së prokurorëve paska thënë se shoqata e re qenkej e regjistruar në gjykatë dhe unë paskesha gënjyer, po në fakt unë nuk shkruajta që s’janë regjistruar në gjykatë.
Unë shkruajta, “janë ende të paregjistruar, por janë brenda afatit” – pra s’pata qëllim ta thumboj, po thjesht të ilustroj moshën fare të njomë të shoqatës, ndërkohë që dihet botërisht se regjistrimi i një shoqate nuk mbyllet me gjykatën, po duhet bërë edhe tek tatimet, gjë që ende s’ka ndodhur.
Por halli me zëdhënësit vullnetarë është se e kanë zellin më të madh se sa zëdhënësit institucionalë, ndërkohë që informacionin e kanë si rregull gjysmak, çka i bën lajmës të nxituar të gjysëm të vërtetave – të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha”.

LEXO EDHE: Prokurorët reagojnë: Gjykimi kushtetues duhet të mbetet i pavarur nga presioni publik



