Gjyqtarët dhe prokurorët e vendit i tremben fatit të kolegut të tyre, Astrit Kalaja i cili u vra në sallë të gjyqit vjeshtën e shkuar nga pala humbëse sapo shpalli një vendim pronësie.
Gjatë javëve të fundit togat e zeza pritën në ambientet e punës deputetë të komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen Institucionale që drejtohet nga Fatmir Xhafaj, dhe ligjvënësit i përcollën qeverisë mesazhin e tyre.
“Prezenca e uniformës së policisë e rrit sigurisë, kjo ishte mesazhi i tyre. Nuk kam të njëjtin perceptim për trupat e Illyrian Guard”, tha Erjo Mile.
- “Që nuk është shoqëria e Illyrian Guard ajo që është përgjegjëse për sigurisë. Policia e Shtetit ka qenë gjithmonë në krye të detyrës”.
- “Ka qenë një nga kërkesat e tyre, konkretisht ruajtja e rendit të sigurisë nga forcat e policisë të veshura me uniformë policie në seancë gjyqësore”, tha Samir Hasalla.
- “Prezenca e policisë në sallat e gjyqit në dhënien e vendimit ka qenë një kundërshtim i këtyre organeve, i Këshillit. Që të mos kenë indikacione në dhënien e vendimit”, tha Xhemal Qefalia.
- “Në llogaritjen qe kemi bërë ne, na nevojiten punonjës police, por aktualisht e kemi të pamundur për t’i marrë në ruajte se numri është i kufizuar”, tha Agron Çeli.
Teksa policia është e hapur, por jo gati për të marrë tërësisht në dorë sigurinë në prokurori dhe gjykata, ministria e Drejtësisë ka marrë përsipër ndërtimin e godinave të reja që ofrojnë siguri. Plani i ndërhyrjes do të publikohet brenda dy muajsh.
- “Brenda marsit 2026 mbaron ky proces dhe do të shpërndahet në një konsultim më të gjerë. Do mund të vijmë me qasjet konkrete dhe zgjidhjet. Gjykata si ajo e Lezhës është prioritare. Ajo e Fierit është e rëndësishme dehe për shkak të numrit të lartë të çështjeve që ka”, tha Tedi Dobi, zv,ministër i Drejtësisë.
Fatmir Xhafaj sqaroi se komisioni i tij i është përgjigjur thirrjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor që apelonte për marrjen e masave konkrete pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja. Puna do të vazhdojë me një tryezë të gjerë me të gjithë aktorët dhe në fund u premtuan edhe ndryshime ligjore për të garantuar mjediset e drejtësisë.
