
Kryeministri Edi Rama ka vizituar bazilikën e famshme të Zojës së Këshillit të Mirë gjatë vizitës së tij zyrtare në Vatikan. Mëngjesin e kësaj të enjteje, ai ka ndarë në rrjetet e tij sociale disa momente nga vizita e tij, duke e shoqëruar bashkë me një mesazh ku i drejtohet me lutje nënës Mari.
“O Mari, Nënë e ëmbël e Këshillit të Mirë, kaq e dashur për bijtë e Shqipërisë në atdhe dhe jashtë atdheut! Sot po vijmë tek ti, edhe një herë, të ta besojmë popullin tonë, familjet tona, rininë tonë. Ti që je Zojë e Shkodrës dhe e mbarë Shqipërisë, na udhëhiq në rrugën e së mirës, na jep dritë në dyshime dhe ngushëllim në provat e jetës. Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, o Virgjër e bekuar.
Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona dhe na bëj të jemi gjithmonë besnikë ndaj Birit tënd, Jezusit. O Zoja e Këshillit të Mirë, lutu për ne!”, shkruan Rama.



