Pasi protestuan për tre ditë radhazi në zonën e Rrjollit, në Velipojë, banorët e këtij fshati janë paraqitur këtë herë në ambientet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për ndaljen e punimeve ndërtimore që po kryhen për ndërtimin e një restoranti në pronësi të Bashkim Ulajt.

Sipas banorëve, investimi në fjalë po realizohet në toka që ata i pretendojnë si prona të trashëguara familjare, ndërsa theksojnë se ndërtimi po vijon pa zgjidhur më parë konfliktin e pronësisë. Ata shprehen se janë dëmtuar drejtpërdrejt nga këto punime dhe kërkojnë verifikim të plotë të dokumentacionit ligjor mbi bazën e të cilit është lejuar ndërtimi.

Kjo nuk është hera e parë që banorët i drejtohen SPAK-ut. Kujtohet se më 25 mars të vitit të kaluar, ata kanë depozituar një kallëzim penal ndaj firmës ndërtuese, si edhe ndaj personave që, sipas tyre, dyshohet se kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë për parcelat në zonën Baks–Rrjoll. Banorët kërkojnë zbardhjen e plotë të çështjes dhe vënien para përgjegjësisë të çdo personi të përfshirë në këtë proces.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re