
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëherësh drejtuesi politik i PS-së për Diasporën, reagoi sot pas tragjedisë që i mori jetën katër anëtarëve të familjes shqiptare Kola në Itali.
Përmes një mesazhi, Balla e cilësoi ngjarjen si thellësisht tronditëse dhe shprehu ngushëllimet për humbjen e rëndë.
“Shumë, shumë i trishtë lajmi i tragjedisë së familjes shqiptare Kola, nga Grykshi i Peqinit, të cilët jetonin prej vitesh në Porcari, Lucchesia, Itali. U prehshin në paqe”, shkroi ai.
Familja shqiptare humbi jetën si pasojë e çlirimit të monoksidit të karbonit nga një kaldajë me defekt në banesën e tyre. Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku babai 48 vjeç punonte në një kompani private, nëna 42 vjeçe ishte shtëpiake, djali 23-vjeçar punonte si elektricist dhe vajza 15-vjeçare ishte nxënëse.
Mediet italiane shprehen se familja shqiptare ishte prej vitesh e integruar dhe e respektuar në komunitetin lokal.
;



