Pas publikimit të lajmeve në disa media, sipas të cilave, aksioni i policisë për ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të monopatinave dështoi dhe u shua gradualisht.

Sipas tyre, sot çdo qytetar mund të lëvizë sërish me monopatinë elektrike pa asnjë kufizim dhe pa u ndalur nga policia

Lidhur me këtë ka reaguar ministrja e brendshme Albana Koçiu, sipas së cilës: “Udhëzimi për ndalimin e qarkullimit me monopatina mbetet në fuqi. Nuk ka asnjë vendim për heqjen e masës së ndalimit të përkohshëm”.

Reagim i Ministres Albana Koçiu, në rrjetet sociale:

“E PAVËRTETË!

Udhëzimi për ndalimin e qarkullimit me monopatina mbetet në fuqi. Nuk ka asnjë vendim për heqjen e masës së ndalimit të përkohshëm. Policia e Shtetit vijon angazhimin e përditshëm në terren për garantimin e zbatimit të plotë të këtij udhëzimi, në përputhje me njoftimet zyrtare të bëra më herët.

Shpreh mirënjohje për qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në respektimin e kësaj mase, e cila synon mbrojtjen e sigurisë dhe jetës, në veçanti të të rinjve.

Të dhënat e Policisë së Shtetit dhe të shërbimeve të traumës konfirmojnë një rënie të ndjeshme të numrit të aksidenteve gjatë periudhës së zbatimit të saj.

Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, po vijon vlerësimin e situatës për të përcaktuar vendimmarrjen më të drejtë, duke vendosur në qendër të çdo hapi sigurinë dhe jetën e çdo qytetari”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re