Prej ditës së djeshme ish-presidenti i vendit Alfred Moisiu ndodhet i shtruar në spitalin Nënë Tereza, në reaniamacion, pasi është paraqitur me probleme në frymëmarrje.
Raportohet se, gjendja e ish-kreut të vendit paraqitet e qëndrueshme, ndërsa mjekët e ekipit të aritmologjisë, pas konsultës ditën e sotme kanë vendosur një “pacemaker” me dy dhoma.
“Pacemaker” është një pajisje mjekësore që ndihmon zemrën të rrahë rregullisht, kur ritmi i saj është shumë i ngadalshëm ose i çrregullt.
Moisiu vuante nga rrahjet e ngadalta, ose bllok atrioventrikular, që lidhet me moshën. Aktualisht gjendja e tij është e qëndrueshme dhe në përmirësim.
CV-ja e Alfred Moisiut:
Alfred Moisiu lindi më 1 dhjetor 1929, në qytetin e Shkodrës.
Në vitet 1946-1948 kreu studimet në Shkollën e Inxhinierisë Ushtarake në Petersburg, Rusi, dhe u laureua në Akademinë e Inxhinierisë Ushtarake në Moskë me Medalje të Artë në vitet 1952-1958.
Në vitet 1948-1949 ka qenë Komandant toge në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë; Instruktor në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitet 1949-1951; ka punuar në Drejtorinë e Xhenios të Ministrisë së Mbrojtjes në vitet 1958-1966.
Kursin e Lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura e kreu në vitet 1967-1968 në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë. Zoti Moisiu shërbeu si zëvendësministër i Mbrojtjes, nga viti 1981 deri në tetor 1982. Në vitet 1982-1984 ka qenë Komandant i Kompanisë së Xhenjos në Burrel dhe në vitin 1985 doli në pension.
Në vitin 1991 zoti Moisiu u emërua Ministër i Mbrojtjes së Qeverisë Teknike, post të cilin e mbajti deri në vitin 1992.
Në vitet 1992-1994 ai punoi si Këshilltar i Ministrit të Mbrojtjes; në vitet 1994-1997 ishte zëvendësministër për Politikën e Mbrojtjes.
Në vitin 1995 kreu Kursin për Personalitete të Larta në Kolegjin Ushtarak të NATO-s, në Romë.
Moisiu është autor i mjaft shkrimeve, artikujve dhe studimeve të botuara në shtypin shqiptar e të huaj, për problemet e artit ushtarak, të politikës së mbrojtjes, të sigurisë rajonale si dhe për zhvillimet në Kosovë. Ai mban titullin shkencor “Doktor i Shkencave Ushtarake”.
Më 24 qershor të vitit 2002 zgjidhet President i Republikës së Shqipërisë.
Ish-Presidenti, i mbetur i ve pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes, ka trashëguar katër fëmijë, tri vajza dhe një djalë, i cili humbi jetën në një aksident tragjik gjatë mandatit të tij si President.
Moisiu është njohës i tri gjuhëve, ruse, italiane dhe angleze.



