Është dita e firmës. Kenan Yildiz përgatitet të lidhet edhe më fort me Juventusin. Numri 10 bardhezi është një element themelor për skuadrën e Luciano Spallettit.
Fantazi dhe lëvizje të rëndësishme, por edhe gola dhe asiste.
Në sezonin aktual, lojtari ka qenë vendimtar në disa raste, duke shënuar gjithsej 9 gola dhe dhënë 8 asiste në kompeticionet e ndryshme ku është aktivizuar. Shifra që vërtetojnë talentin e një futbollisti, i cili është rritur dhe bërë vendimtar me fanellën bardhezi.
Tashmë ai po përgatitet për rinovimin e kontratës.
Siç shkruan “Gazzetta dello Sport”, Yildiz do të firmosë rinovimin deri në vitin 2030.
Përveç zgjatjes së kontratës, ai do të përfitojë një rritje të konsiderueshme page, e cila do të kalojë nga 1.7 milionë euro në sezon, aktualisht paga e 19-të në listën e pagave të klubit, në 6 milionë euro në sezon, duke u ngjitur në vendin e dytë, në të njëjtin nivel me Jonathan David, pas Vlahovic.
Jo vetëm kaq, nga sezoni i ardhshëm parashikohet edhe një rritje shtesë prej një milion eurosh.
Njoftimi zyrtar pritet të bëhet ndoshta që sot, me një spektakël që zakonisht u rezervohet vetëm lojtarëve të nivelit të lartë.
Në fund të fundit, Yildiz është shndërruar në një lojtar shumë të rëndësishëm për Juventusin, i destinuar të bëhet simbol i klubit.



