Rruga që lidh Rrëshenin me Njësinë Administrative Kurbnesh është bllokuar plotësisht gjatë natës si pasojë e rrëshqitjes së një masivi të madh dheu. Prej më shumë se 4 orësh, dhjetëra banorë kanë mbetur të izoluar, pa asnjë mundësi lëvizjeje.

Qytetarë të bllokuar në vendngjarje kanë dërguar pamje që tregojnë qartë shembjen e masivit të dheut dhe ndërprerjen totale të qarkullimit. Mes tyre ka familjarë që duhet të shkojnë urgjentisht në Kurbnesh për të hapur varrin e një të afërmeje që ka ndërruar jetë ditën e djeshme, por janë të detyruar të qëndrojnë të bllokuar në rrugë.

Sipas banorëve, organet kompetente janë njoftuar, por deri tani asnjë strukturë shtetërore nuk është paraqitur në terren. Edhe më shqetësuese është heshtja e firmës kontraktore “Albutingu”, e cila ka detyrimin për mirëmbajtjen e rrugës dhe nuk ka kthyer asnjë përgjigje, pavarësisht telefonatave dhe njoftimeve.

Kjo rrugë është aksi që të çon drejt Lurës, një zonë turistike për të cilën qeveria bëri propagandë të fortë pas ndërtimit, duke e cilësuar investimin si një “punë të shkëlqyer”. Realiteti i sotëm, megjithatë, tregon një histori tjetër: një rrugë e re, por e pasigurt, pa reagim emergjent dhe pa përgjegjësi institucionale.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, hapjen e rrugës dhe mbajtjen e përgjegjësive nga institucionet dhe firma kontraktore, pasi situata nuk është vetëm problem qarkullimi, por çështje humanitare dhe sigurie.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re