Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi nga foltorja që zhvillon çdo javë opozita nga Kryeministria se kreu i qeverisë ka sfiduar Europën me vendimin që mori sot Partia Socialiste. Sipas tij, mazhoranca është e gatshme të japë integrimin europian, për të mbrojtur veten.

Sipas tij, kjo është një arsye e fortë që nesër, qytetarët ti bashkohen protestës kombëtare të Opozitës.

“Tani, një bajloz i zi, një organizatë kriminale, do t’u mbyllë shqiptarëve rrugën drejt Europës. Do të asgjësojë drejtësinë, shtetin ligjor, Kushtetutën, për të mbrojtur paratë e krimit, vilat, apartamentet, kontot bankare brenda dhe jashtë. Shqiptarë, a do pranoni ju këtë? Kurrë”, tha Berisha. 

Pjesë nga fjala e kreut të PD:

Miq, në Bruksel, Edi Ramës do i transmetohej një mesazh: Mos pengo drejtësinë se ne të mbyllim derën.
Ishte i thjeshtë. Sot në mëngjes Edi Rama u përgjigj: më mbyllni derën se lëkurën time nuk e shes kurrë, se Lubinë nuk e dorëzoj, se po të dorëzoj Lubinë, duhet të dorëzoj veten time. Pra, sonte çdo shqiptar ndodhet para këtij kërcënimi të tmerrshëm, madhor.

LEXO EDHE: “Foltore” një ditë para protestës kombëtare, Berisha: Rama ka vendosur t’i mbyllë Shqipërisë dyert e Europës

Edi Rama me vendimin e sotëm u tha shqiptarëve se integrimin e japim, por korrupsionin nuk e dorëzojmë. Por veten tonë, lëkurën tonë nuk e dorëzojmë. Në këtë kuadër, protestat tashmë janë jetike dhe vendimtare për të shpëtuar atë ëndrrën që nuk ishte vetëm e jona, nuk është vetëm e jona, nuk ishte vetëm e studentëve të viteve ’90, por atë ëndërr që ishte e formësuar nga Rilindja jonë, të cilët për Shqipërinë parajsë, konsideronin ta shihnin zonjë mdis kombeve të tjera evropiane.

Kjo ëndërr e Rilindjes u bë ëndërr e rinisë shqiptare në vitet ’90, u bë motiv kryesor i asaj në luftën kundër diktaturës komuniste. Në ndjekje të saj, PD, lokomotivë e proceseve të integrimit, ia doli të firmosë MSA-në. Ia doli të liberalizojë vizat. Ia doli të marrë rekomandimin për statusin e kandidatit. Pra, ne ishim lokomotiva e integrimit në BE. Programi ynë ka qëllimin më madhor, integrimin e Shqipërisë në BE. Pas çlirimit të Kosovës, interesi ynë kombëtar, ylli ynë polar është integrimi i Shqipërisë në BE.

Tani, një bajloz i zi, një organizatë kriminale, do t’u mbyllë shqiptarëve rrugën drejt Europës. Do të asgjësojë drejtësinë, shtetin ligjor, Kushtetutën, për të mbrojtur paratë e krimit, vilat, apartamentet, kontot bankare brenda dhe jashtë. Shqiptarë, a do pranoni ju këtë? Kurrë. Ndaj dhe nesër është beteja për integrimin e Shqipërisë në BE, për dyert e hapura të Shqipërisë. Nesër, mesazhi ynë është një dhe vetëm një, mos guxo të luash me fatin e shqiptarëve, se fatin e Enver Hoxhës do kesh edhe ti për së gjalli”.

Kujtojmë se nesër, ora 17:00, opozita do të zhvillojë një protestë kombëtare. Ndërkohë sot, pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama bëri me dije se  pezullimi nuk është një parashikim kushtetues, ndaj socialistët do të bëjnë ndryshime ligjore, duke nënkuptuar ndryshime në Kodin e Procedurës Penale.

LEXO EDHE: Protesta e Opozitës, Policia: Ja rrugët që bllokohen nesër në Tiranë

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re