Gjykata Kushtetuese mbajti sot seancën e parashikuar mbi kërkesën e opozitës, ku grupi i PD kërkon shfuqizimin e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, që mazhoranca bëri me votim të njëanshëm në Parlament.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka përfaqësuar palën paditëse dhe në emër të opozitës mbajti relacionin, ndërsa shoqërohej nga avokati Marash Logu.

Në fjalën e tij në seancë, Bardhi shtoi se Rregullorja është njëlloj dhe ka të njëjtën fuqi për Kuvendit, siç ka për Gjykatën Kushtetuese ligji organik që organizon punën e kësaj gjykate. Ai denoncoi nismën e kryeministrit Edi Rama në nisje të Kuvendit në muajin shtator, kur prezantoi programin qeverisës dhe njoftoi ndryshimet në Rregullore.

Këto ndryshime më pas u vunë në lëvizje me kërkesë të deputetëve të PS dhe më pas u kthyen me votim në Kuvend pa pjesëmarrjen e opozitës në një vendim.

“Ashtu siç GJK rregullohet nga ligji organik që detyrohet ta zbatojë, edhe Kuvendi nuk rregullohet me ligj normal por me rregullore që detyrohet ta zbatojnë me përpikmëri. Shumë nga të drejtat e deputetëve që i kanë të sanksionuara në Kushtetutë, nuk janë të ekzekutueshme pa rregullat e Rregullores së Kuvendit. Qëllimi ka qenë që opozita të përjashtohet tërësisht nga procesi në Kuvend i procesit të integrimit”, tha Bardhi mes të tjerash.

Madje ai shkoi edhe më tej, duke thënë se kufizohet edhe koha e fjalës së deputetëve, që është e parashikuar me 10 minuta dhe nuk lejohet liria e shprehjes.

Një tjetër precedent ai përmendi edhe reduktimin e numrit të anëtarëve në Komisione, kufizimin e opozitës apo heqjen e drejtimit nga disa Komisione, si ai i Integrimit, debate që janë bërë edhe më herët në Kuvend dhe mbledhjet e komisioneve.

“Na janë refuzuar edhe kërkesat për komisione hetimore. Kurse shqyrtimi i projektligjeve në një ditë i pamundëson amendamentet”, tha ai mes të tjerash.

Më tej ai solli si shembull një nga komisionet për nismën qytetare dhe kontrollin parlamentar, ku opozita nuk mori pjesë, pasi mazhoranca tentonte të ndërhynte te drejtësia.

“Gjatë legjislaturës së shkuar u ngrit komisioni i posaçëm që kishte të bënte me nismat qytetare, kontrollin parlamentar etj, komision i posaçëm që dështoi të prodhonte produktet parlamentar. Opozita nuk mori pjesë sepse e konsideroi si ndërhyrje në organet e drejtësisë. Mazhoranca tenton ta kthejë në institucion të përhershëm”, u shpreh Bardhi.

Në kërkesën e PD për Kushtetuesen, teksa renditen argumentet pse Rregullorja e mazhorancës me ndryshimet e bëra duhet të shfuqizohet, theksohet dhe kërkohet që:

“Në këtë kuptim, kërkesa për pezullimin e vendimit nr. 57, datë 16.09.2025, ka për qëllim mbrojtjen e legjitimitetit të organeve të Kuvendit dhe vendimmarrjeve eventuale të tij, të cilat në eventualitetin e pranimit të kësaj kërkese, mund të viheshin seriozisht në pikëpyetje. Nga ana tjetër, në kushtet kur pakica parlamentare vlerëson se këto ndryshime vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, ajo nuk ka paraqitur propozimet e saj për kryesitë e komisioneve parlamentare (kryetar, zëvendëskryetar), ashtu si edhe përbërjen e këtyre komisioneve. Kjo do të thotë se deputetët e pakicës parlamentare nuk do të jenë pjesëmarrës efektivisht në veprimtarinë parlamentare, deri në momentin që Gjykata Kushtetuese të shprehet me vendim lidhur (anti)kushtetutshmërinë e ndryshimeve të njëanshme në numrin, emërtimin, fushat e përgjegjësisë dhe përbërjen e komisioneve parlamentare. Në alternativë të këtij kërkimi, trupa gjykuese mund të vlerësojë edhe shqyrtimi me procedurë të përshpejtuar për shkak të rëndësisë dhe emergjencës që ka çështja objekt gjykimi”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re